Kur në Shkodër kanë ende shumë gjëra për të zgjidhur në këto ditë të para të janarit, siç është çështja e merkatos, shumë shpejt po afron edhe sfida e parë e këtij viti, ajo me Partizanin në transfertë.

Kështu, duke iu referuar klasifikimit që mbajnë aktualisht ekipet, mund të shihet si një duel direkt për kreun, prandaj për të dy ekipet shihet si një sfidë e rëndësishme. Megjithatë, me ditët që ecin, Vllaznia duket se do të jetë e përgjysmuar në këtë përballje.

Edhe në rastin më të mirë, sikur të sigurohen afrime përpara ndeshjes me Partizanin, sërish shkodranët nuk do të jenë në kondicionin e tyre më të mirë për shkak të dëmtimeve. Një situatë që nuk i shkon shumë për shtat Vllaznisë dhe titullarëve përpara kësaj ndeshjeje delikate.

Me shumë gjasa në ndeshjen e parë ndaj Partizanit, skuadra do të përqëndrohet edhe te futbollistët e rinj dhe tek ata që gjatë këtij sezoni më shumë kanë qëndruar në stol për shkak të mungesës së hapësirave.

Edhe në sfidat e fundit, trajneri Josa i dha më shumë hapësira futbollistëve të rinj, duke parë mungesat që ka pasur këtë periudhë. Mesa duket, e njëjta gjë do të përsëritet edhe ndaj Partizanit.
Maringlen ZHIVANI