Pas të parës ka patur shumë emocione sepse ka qenë rikthimi I tij pranë Vllaznisë. Përpos kësaj ishte një fitore ndaj skuadrës kampione në fuqi dhe kryesueses aktuale të kampionatit dhe si rrjedhojë, përderisa luhej në transfertë kishte vlera të mëdha. Por Agron Çela ka patur të njëjtat emocione edhe parmbrëmë, madje shumë më të madhe se në Korçë. Arsyeja ka qenë e thjeshtë. Pragndeshja kishte sjellë një atmosferë krejt ndryshe në stadium në krahasim me ndeshjet e pjesës tjetër të sezonit. Karnevale, fishekzjarre dhe festë kudo në ambjentet e “Loro Boriçit”.

Në fakt sa herë që në këtë stadium ka patur festa të tilla, Vllaznia e ka pësuar. pikërisht nga ky “fat I keq” prandaj dhe Çela deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit ka qenë disi në ankth të fatit të kësaj ndeshje. Por me t’u dëgjuar kjo vërshëllime, ai është hedhur përpjetë ndërsa për rreth gjysmë ore nuk ka mundur të largohet dot nga ambjentet para stadiumit pikërisht nga kërkesat e shumta të tifozvë për ta uruar dhe falenderuar për ndryshimin e gjërave tek Vllaznia. Vetë presidenti I klubit shkodran e shpjegon në këtë mënyrë atë çfarë përjetoi mbrëmjen e së shtunës pas mbarimit të ndeshjes teksa thotë: “Kanë qenë momente vërtetë të këndshme për mua personalisht. Tifozë të shumtë vinin e më përshëndetnin dhe sigurisht që tek ata shikoja një gëzim të madh për fitoren e arritur. Sigurisht që edhe unë isha shumë I kënaqur. Arritëm të kthenim tifozët në stadium, arritëm të organizonim një festë të vërtetë dhe ajo çfarë është më kryesorja, kjo festë u shoqërua edhe me një fitore shumë të rëndësishme. Na ka ndodhur prej vitesh që në ndeshje të tilla që konsideroheshin festive, ta pësonim me rezultate jopozitive por për fat, këtë herë gjërat kanë shkuar në mënyrë të shkëlqyer dhe prandaj kemi të drejtë të festojmë”. Gëzimi kësisoj është I ligjshëm jo vetëm tek ai por tek të gjithë. Ky gëzim është parë qartë edhe gjatë gjithë ditës së djeshme në të gjithë ambjentin sportiv shkodran. Por për ta arritur fitoren ndaj Kukësit, nuk ka qenë e lehtë e këtë e thotë edhe vetë presidenti I Vllaznisë Çela në fjalët e tij kur shprehet: “Ka qenë vërtetë ndeshje e vështirë. E kishim parashikuar në fakt. Kukësi na vuri jo pak në vështirësi ndërkohë që edhe ne luajtëm me kujdes sepse duke qenë në avantazh, donim që të merrnim me çdo kusht fitoren. Këto tre pikë do na ndihmojnë shumë për ecurinë  e mëtejshme”. Në fakt tashmë kjo Vllazni nuk është më suprizë. Dy fitoret e arritura rresht ndaj dy prej skuadrave më të mira të kampionatit, ia kanë rritur shumë prestigjin. Megjithatë shkodranët nuk e kanë ndër mend të ndalen. Do kërkojnë edhe fitoren e tretë rradhazi. Pikërisht në Gjirokastër javën që vjen. Presidenti Çela nuk ka ndër mend “të fluturojë”. Qëndon me “këmbë në tokë”, madje thotë se kjo do jetë prova e së vërtetës. “E treta e vërteta do jetë për ne në Gjirokastër. Nëse duam të vazhdojmë këtë rrugë që kemi nisur, na duhet të kërkojmë fitore edhe me Luftëtarin. Unë besoj tek kjo skuadër dhe pikërisht nisur edhe nga ajo çfarë po tregon në fushën e lojës, mund t’ia dalim sërish”-është shprehur ai. Në këtë mënyrë nisja duket  e mbarë. Dyshja Çela- Bushati në dy ndeshje ka arritur dy fitore dhe me gjashtë pikët e marra premton të ngjitet sërish në renditje teksa vendi I tretë tashmë është vetëm dy pikë larg.
Gjergj KOLA

“Skuadra do ketë premio për çdo rezultat pozitiv”
Presidenti I Vllaznisë Agron Çela e ka pranuar dje në prononcimin e tij për gazetën tonë se për skuadrën do ketë sërish premio për fitoren e arritur me ekipin e Kukësit por jo vetëm për atë. “Unë kam premtuar dhe do ta mbaj fjalën ashtu siç e kam mbajtur gjithmonë. Skuadra do shpërblehet edhe për fitoren e arritur ndaj Kukësit, madje e them publikisht se do t’I qëndrojmë afër dhe do ketë shpërblime për çdo rezultat pozitiv që do të arrijë”-ka thënë numri 1 I klubit shkodran. Pikërisht ky ndryshim në krye të klubit por edhe në pankinë, ka sjellë një klimë tjetër në rradhët e kuqebluve. Nuk ka asnjë ndryshim në përbërje, për të mos thënë se skuadra është më e dobët por në fushën e lojës ka shumë ndryshime dhe këto ndryshime kanë ardhur mbi të gjitha nga mbështetja që I ka dhënë presidenti Çela dhe puna e trajnerit Bushati në stërvitje.