Mesfushorja e Apolonisë, Agli Iliadhi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”, në “Panorama TV”. Ajo ka rrëfyer se si lindi pasioni për futbollin, paragjykimet, rivalët si dhe ndeshjen që ajo e cilëson si më të bukurën.

“Është shumë e vështirë të jesh futbolliste femër pasi ka të bëjë sakrifica, lodhja, stërvitja, por nga ana tjetër shumë gjë e bukur. Paragjykimi ka qenë qëkur është krijuar futbolli i femrave dhe ende ekziston por jo si më përpara. Kur thonë si mund të luajë një vajzë futboll?

Njësoj si djemtë nuk është e vështirë. Vajzat mund të luajnë futboll edhe më mirë se sa djemtë. Apolonia më ka mbështetur në fillim të karrierës, jam shumë e lumtur që jam pjesë e tyre. Pasioni për futbollin ka lindur që e vogël, që në moshën 5-vjeçare dhe babai im ka qenë arsyeja e kësaj pasi ai ka qenë futbollist i njohur me Flamurtarin.

Prindërit kanë qenë motivimi im, më kanë mbështetur në çdo gjë dhe i falënderoj. Jam e ngarkuar e lodhur por nuk e mendoj veten pa futboll, pasi më jep kënaqësi dhe lumturi. Kur kemi humbur në eliminatoret U-19 jam mërzitur pasi e meritonim fitoren, por është dhe çështje fati. Ndeshja më e bukur për mua ka qenë kundër Lituanisë në “Air Albania” dhe kam shënuar golin e parë atëherë. Është gjë fantasike të merresh me sport.

Vllaznia është rivali më i fortë i Apolonisë, ne duam të kënaqemi dhe të fitojmë pavarësisht se nuk ja kemi dalë ti mundim. Nuk do ta lija për një shumë më të madhe Apoloninë për Vllazninë, dëshira dhe qëllimi im është të luaj jashtë”, u shpreh Iliadhi në “Panorama TV”.