Skënderbeu është mundur 0-2 nga Partizani në miqësoren e pasdites së sotme të luajtur në Pogradec. Trajneri Julian Ahmataj foli pas humbjes 2 me 0 të Skënderbeut ndaj Partizanit. Sfida miqësore u luajt në stadiumin e Pogradecit. Ahmataj konfirmoi se objektiv për bardhekuqtë është qëndrimi në Abissnet Superiore. Trajneri i korçarëve tregoi se individët e afruar kanë cilësi.
Ky është ekipi? Jo, ne presim akoma lojtarë sepse nuk ka ardhur Nasr dhe një lojtar tjetër që kemi mbyllur marrëveshjen me të, por nuk po e them emrin. Kemi edhe lojtarin që nuk është aktivizuar, qendërmbrojtësi nga Franca që është dëmtuar në ditët e para. Dëmtim i lehtë, besoj nga e hëna do jetë në stërvitje. Besoj do formojmë një grup shumë të mirë.
Dy miqësore, asnjë gol? Po sepse Bismark ka një periudhë të gjatë pa luajtur. Dhe te Vllaznia nuk pati shumë aktivizime shumë, na duhet pak kohë për ta pritur. Është pak mbrapa me stërvitjen. Duhet patjetër që të shohim një lojtar tjetër në atë repart.
Trajnerët nuk kënaqen kurrë me afrimet? Ka një logjikë. Preferuam dy ndeshje të forta në fillim, që të kuptojnë lojtarët që kanë ardhur se çfarë kampionati është. Zakonisht fazat përgatitore fillohen me ndeshje të lehta, pastaj vjen duke u vështirësuar situata. Por ne kemi një skuadër të re, të ndërtuar me shumë të rinj dhe ato duhet të njihen me forcën e kampionatit. Do kemi shumë miqësore të tjera, që do mundohemi të kristalizojmë gjërat që na duhen në një ndeshje. Kemi marrë sinjale pozitive nga shumë lojtarë, si qendërmbrojtësi, mesfushorët, pra kemi parë sinjale shumë të mira nga shumë lojtarë.
Estrela? Estrela është një lojtar i Skënderbeut. Dhe mendoj që në skuadër duhen lojtarë me më shumë agresivitet. Ju e patë edhe vetë, Superliga është shumë e vështirë. Estrela ishte dhe kur Skënderbeu ra nga kategoria. Nuk mendoj që vetëm të luash një fazë loje je i dobishëm në Superligë. Duhet të bësh të dyja fazat e lojës që të jesh i vlefshëm në skuadër.
Objektivi? Objektivi i Skënderbeut është gjithmonë që të ndërtojmë një skuadër për të ardhmen. Dhe qëndrimi, të mos bie sërish nga kategoria. Kemi pak më shumë se dy javë stërvitje, ndoshta as emrat e lojtarëve nuk janë mësuar në kaq pak kohë. Duhet kohë që një skuadër të ndërtohet dhe të shkojë në ato pritshmëri. Të rëndësishme janë individët, ato që kemi afruar duken që janë cilësorë. Këto do na ndihmojmë që të ndërtojmë skuadër cilësore.
Këto që keni, merr ndonjë notë kaluese? Kemi pritshmëri më të mëdha te disa lojtarë. Do i japim kohën e duhur që të shprehen, pastaj mund të marrim vendim.
Nasr? Besoj duhet t’i ketë dalë viza këto ditë. Dhe shumë shpejt do jetë pranë skuadrës. Mungesa e tij ndikon në skuadër.
Estrela? Ka kontratë dhe pritet që të arrihet marrëveshja.


