Monday, May 4, 2026
FAQJA E PARE KRYESORENga Namik Mehmeti/ Fenomeni 'Chivu'...

Nga Namik Mehmeti/ Fenomeni ‘Chivu’…

Në 20 faqet që gazeta sportive italiane La Gazzetta dello Sport i kushton fitores së titullit kampion në Serie A nga skuadra e Inter, pa dyshim një hapësirë e gjerë i rezervohet trajnerit rumun Cristian Chivu, i cili udhëhoqi skuadrën milaneze drejt fitimit të titullit të 21-të në historinë e saj.

Fenomeni Kivu, që kishte fituar me këtë ekip tripletën e vitit 2010 – kampionatin, Coppa Italia dhe UEFA Champions League – dhe që për një dekadë kishte qenë trajner i skuadrës Primavera, pak kujt do t’i shkonte ndërmend se një ditë do të merrte drejtimin e ekipit të parë të Interit.

Kjo ndodhi në një moment kur klubi po mbyllte sezonin 2024–25 me një dështim të plotë, duke mos fituar asnjë nga tre kompeticionet dhe duke marrë goditjen përfundimtare në humbjen 0–5 ndaj Paris Saint-Germain në finalen e Champions League, si dhe me largimin pa shumë zhurmë të trajnerit Simone Inzaghi.

Interi kaloi në një gjendje pasigurie, me pikëpyetje të mëdha se sa kohë do t’i duhej për t’u rikthyer në garën për trofe dhe kush do të ishte “mjeku” që do të diagnostikonte dhe shëronte këtë rënie të dhimbshme.

Kivu ishte zgjedhja e minutës së fundit. Një zgjedhje që i ngjante një “mjeku familjar”, i cili nuk ishte ndarë kurrë emocionalisht nga skuadra e zemrës, edhe pse kishte nisur një përvojë të re me Parma.

Ai mori detyrën me bindjen se gjithçka do të ndërtohej gjatë rrugës, duke ringritur një ekip të prekur nga një gjendje e rëndë psikologjike. Nuk ndërmori revolucione, por i qëndroi besnik skemës taktike 3-5-2 të Inzaghit, duke u dhënë besim të gjithë lojtarëve, deri te afrimi i fundit, braziliani L. Henrique.

Fillimi ishte tronditës: dy humbje në dy javët e para, ndaj Napolit dhe më pas në “San Siro” ndaj Udineses, duke ngritur dyshime edhe te vetë trajneri dhe drejtuesit, me presidentin Moratti në krye.

Por mjaftoi java e tretë për të rikthyer qetësinë dhe shpresën. Fitorja ndaj Pizës riktheu optimizmin dhe konsolidoi bërthamën e ekipit me emra si Lautaro Martínez, Federico Dimarco, Nicolò Barella, Hakan Çalhanoğlu dhe Marcus Thuram. Po ashtu, besim iu dha edhe të rinjve si Pio Esposito, Asllani dhe Zielinski.

Pas kësaj erdhën 14 fitore radhazi, kryesisht ndaj skuadrave jo pretendente, ndërsa munguan fitoret në derbi ndaj Milanit dhe u regjistruan barazime me rivalët Napoli dhe Juventus. Megjithatë, tri javë para fundit, Interi kishte realizuar 82 gola – më shumë se çdo skuadër tjetër – duke pësuar vetëm 31.

Chivu u bë trajneri i dytë në historinë e Interit që fiton “Scudetton” në vitin e parë, madje me një përqindje më të lartë fitoresh se emra si José Mourinho, Antonio Conte dhe Inzaghi.

Tripleta që fitoi si futbollist i Interit mund të ketë qenë një ëndërr edhe si trajner, por edhe dy trofe do të mjaftonin: me sytë te finalja e Kupës së Italisë më 13 maj ndaj Lazios, që mund ta kurorëzojë si trajnerin më të mirë të Serie A për sezonin 2025–26.

NAMIK MEHMETI
FIRENZE

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments