Shkruar nga Endri ÇINARI
Belajdi Pusi vazhdon të shkëlqejë në futbollin rus, duke u kthyer sërish në protagonist për skuadrën e tij, Fakel Voronezh, në një moment vendimtar të sezonit në Ligën e Parë të Rusisë. Sulmuesi shkodran ishte vendimtar në fitoren 2-0 ndaj Yenisey Krasnoyarsk, një sukses me peshë të madhe në garën për ngjitjen në elitën e futbollit rus.
28-vjeçari nuk e nisi sfidën si titullar, por hyrja e tij në pjesën e dytë rezultoi vendimtare. Me një paraqitje të qetë dhe efikase, Pusi arriti të gjejë rrugën e rrjetës, duke realizuar golin e dytë dhe të sigurisë për ekipin e tij. Një goditje që jo vetëm vulosi fitoren, por edhe konfirmoi edhe një herë rolin e tij si lider në repartin ofensiv.
Ky triumf e ngjit Fakel në vendin e parë të renditjes me 64 pikë, në një fazë ku kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i kampionatit. Ekipi është tashmë më pranë se kurrë objektivit madhor: rikthimit në elitën e futbollit rus, një arritje që do të mbante firmën e fortë të sulmuesit shqiptar.
Për Pusin, ky ishte goli i 16-të sezonal, një shifër që e vendos atë në krye të listës së golashënuesve të kampionatit. Forma e tij e shkëlqyer dhe vazhdimësia në performancë e kanë kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të ligës, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm të tifozëve, por edhe të specialistëve të futbollit.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


