E shtuna që kaloi ka qenë ditë festë në Vaun e Dejës. Akademia “Albania Judo Kodokan” me qendër në këtë qytezë, ka organizuar ceremoninë e zakonshme të shpërndarjes së dhuratave dhe çmimeve të ndryshme të fundvitit për sportistët e ekipeve të Vllaznisë, Vau Dejësit dhe Besëlidhjes së Lezhës. Kanë marrë pjesë në këtë ceremoni pushtetarë lokalë, drejtues të Federatës Shqiptare të Xhudos, sporistë e trajnerë të shumtë. Presidenti i kësaj Akademie Anton Shkoza, pasi ka përshëndetur të pranishmit, ka kaluar tek ndarja e çmimeve dhe dhuratave të cilat këtë herë janë mundësuar nga z. Ahmet Kurmemaj, një shqiptar nga Mali i Zi që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurmemaj është president i firmës “Kayla Logistics” me filiale të shumta në botë deri në Hong Kong dhe ai prej disa kohësh është duke sponsorizuar edhe në Shqipëri. Kryesisht tek sporti i xhudos por edhe më gjerë. Lidhjen e Anton Shkozës me këtë biznesmen të fuqishëm e ka bërë Sasha Kosoviç, që është kordinatori i kësaj firme për Ballkanin. Nga donacionet e zotit Kurmemaj kanë përfituar më shumë se 15 personale me aftësi të kufizuar, më shumë se 15 fëmijë me probleme sociale dhe shëndetësore. Por nga firma e tij kanë përfituar në këtë ceremoni të fundvitit rreth 70 fëmijë që merren me sportin e xhudos. Ahmet Kurmemaj e ka marrë me shumë dëshirë ndihmën e fëmijëve të kësaj zone sepse donacionet e tij në fakt janë të përqendruara kryesisht tek fëmijët. Lidhja e tij me xhudon shqiptare dhe me Anton Shkozën duket e ngushtë teksa para disa kohësh, ai i shoqëruar edhe nga kordinatori Sasha Kosoviç, ka qenë në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe është pritur nga kryetari i saj Gjon Marku. Në lidhje edhe me donacionet e fundit të këtij njeriu të veçantë, mjeshtri i xhudos shqiptare Anton Shkoza do shprehej: “E ndjejmë veten borxhli ndaj ndihmës që po na jep z. Ahmet Kurmemaj. Fakti që ai donacionet i çon tek fëmijët e bën të veçantë edhe më shumë misionin e tij dhe prandaj nuk më mbetet gjë tjetër që përveç gazetës tuaj t’i them publikisht FALEMINDERIT!”.

 

shkodrasport.com

Foto nga ceremonia e dorezmit te çmimeve dhe dhuratave ne Akademine “Albania Judo Kodokan”