Xhianlugji Bufon nuk njeh limite. Portieri italian rinovoi kontratën me Parmën deri në vitin 2024 dhe do të luaj deri në moshën 46 vjeçare. Megjithatë agjenti i tij, Silvano Martina ka treguar për një prapaskenë merkatoje, në të cilën mund ta shihnim lojtarin ende duke dhuruar spektakël në arenën ndërkombëtare.

Rinovimi

“Xhixhi vazhdon të luajë sepse zbavitet shumë, por gjithashtu është në një ambient që e konsideron si shtëpinë e tij. Ai mund t’i jap shumë këtij grupi.”

Kombëtarja

“Mançini ka grupin e tij dhe Bufoni nuk po e mendon më si opsion. Rinovimi i kontratës erdhi nga klubi. Xhixhi është 44, por duket si 10 vite më i ri dhe kjo na bën të lumtur. Ai e meritonte që të luante më shumë edhe më parë, por me të drejtë klubet ju japin prioritet lojtarëve të rinj.”

Merkatoja

“Ai mund të qëndronte tek Juventusi, madje dhe Barcelona e kërkonte, por ai kishte dëshirë të luante. Nëse është mirë atëherë mund të luajë edhe 50 vjeç, por sigurisht në këtë moshë nuk mund të bësh parashikime. Ai ka entuziazëm dhe ndihmon shumë të rinjtë. Nëse Xhixhi do të ndalet atëherë mund ta bëj para vitit 2024.”