Vllaznia e 22 javëve të para të këtij sezo ni ndoshta do të mbahet mend gjatë si Vllaznia e barazimeve. Nga 22 javë të luajtura, gjysma e tyre janë mbyllur në barazim, 11 ndeshje. Pra, ka një rekord prej 11 barazimesh, që pa dyshim ka ndikuar edhe në pozicionin që mban ekipi në renditje.

Ecuria aktuale është shumë prapa nga ajo e sezonit të shkuar. Kjo edhe për shkak të numrit të lartë të barazimeve të arritura. Vllaznia njeh vetëm 3 humbje në këtë sezon. Ajo ka humbur pikërisht nga një herë me tri ekipet që janë para saj, Tiranën, Kukësin e Laçin.

Shkodranët kanë arritur të fitojnë në 8 përballje, ku dy fitore i kanë marrë ndaj Laçit, që momentalisht renditet i dyti. Po ashtu, të besuarit e trajnerit Brdariç kanë arritur të fitojnë dy herë edhe ndaj Kastriotit. Kurbinasit dhe krutanët janë skuadrat e vetme me të cilat kuqeblutë nuk kanë barazuar në këtë sezon.

Ky rekord “alarmues” i ka kushtuar skuadrës duke u klasifikuar në vendin e 4-t, 14 pikë larg nga Tirana kryesuese. Me sa duket me kalimin e javëve Vllaznia po e vështirëson shumë rrugëtimin e saj drejt këtij objektivi madhor.

Sa i përket titullit, Vllaznia mund të quhet kampionia e barazimeve. Deri tani ky është titulli i vetëm i arritur.

KARTONËT E KUQ – Përveç barazimeve rekordet alarmante te Vllaznia vijojnë sa i përket asaj që kanë prodhuar 22 javët e para. Shkodranët mund të quhen edhe kampionë për ndëshkimet dhe kartonët e kuq.

Bojan Zogoviç është “viktima” e fundit në kampin shkodran, i cili u ndëshkua me karton të kuq ndaj Skënderbeut. Një karton i tillë e çon në 7 numrin e të kuqve akorduar ndaj lojtarëve të Vllaznisë në 22 javë.

Drejtuesit, por edhe opinioni sportiv shkodran, si dhe specialistët e shumtë, e lidhin ecurinë e Vllaznisë edhe me ndëshkimet nga kartonët. Portieri malazez, Bojan Zogoviç, nuk arriti të mbyllte ndeshjen kundër Skënderbeut.

Nga stafi teknik ai u quajt “viktima” e radhës e Vllaznisë. Ndëshkime të tilla sipas stafit teknik e kanë shoqëruar shumë shpesh skuadrën gjatë këtij sezoni. Shkodranët janë ndëshkuar shpesh nga “xhaketat e zeza” dhe ndoshta edhe padrejtësisht.

Para portierit ngjyrën e kuqe të kartonit e ka parë edhe Mevlan Adili në dy raste. Shkupjani është ndëshkuar në takimet kundër Skënderbeut dhe Kastriotit.

Po ashtu Zinedin Mustedanagiç ka parë të kuqin në sfidën kundër Kukësit të humbur në shifrat 2-0 në fazën e parë. Esin Hakaj u ndëshkua po ashtu me karton të kuq në ndeshjen kundër Partizanit të barazuar në shifrat 1-1 para një jave.

Ante Aralica u ndëshkua me përjashtim nga fusha në ndeshjen e fazës së parë kundër Teutës të mbyllur me rezultatin 1-1 në “Elbasan Arena”.

Duket e palogjikshme që një skuadër si Vllaznia që luan futbollin më të bukur dhe të pastër në kampionat të ndëshkohet kaq shumë.

Plot 7 kartonë të kuq në kampionat, më shumë se askush tjetër në Superiore, bënë që Vllaznia të jetë “preja” e preferuar e arbitrave. Ndërsa i vetmi karton i kuq i pranuar edhe nga vetë kuqeblutë ishte ai i marrë nga Krymi në përballjen me Partizanin në Shkodër.