Kryeministri Edi Rama ka qenë pjesë e aktivitetin për prezantimin e projektit të kampusit sportiv, “Akademia e Manchester City në Durrës”. Gjatë fjalës së tij Rama nënvizoi se është arritur një kontratë ekskluzive për rajonet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vlerësohet këtë Akademi si një shtysë frymëzuese për të rinjtë.

“Më vjen mirë që arritëm jo vetëm të kemi kontratë për ta ndërtuar këtu këtë akademi, por edhe të kemi një ekskluzivitet për të gjithë Ballkanin. Ky është një kompleks që nuk bëhet dot vetëm dhe i falënderoj bashkëpunëtorët dhe në fund të fundit qëllimet e mira duhen përkthyer në marrëveshje të qëndrueshme juridike.

Falënderoj patjetër Presidentin që ka qenë që në fillim jo vetëm dashamirës, për ta mbështetur projektin me të gjitha atë që mund të bëjë Federata dhe kryesorja është që të promovojë këtë projekt dhe të ndihmojë në të gjitha klubet. Ne duam që të mblidhet ajka e talentit që ka ky vend qysh në moshë të vogël në këtë sport që është sporti më popullor në botë”, tha Rama.

Por ndër të tjera kreu i qeverisë njoftoi se është duke u diskutuar për të sjellë akademinë e tenistit me famë botërore Rafael Nadal në Durrës. Sakaq tha se PS do të vazhdojë të ndërtojë më tutje Shqipërinë e vitit 2030.

“Investimi ka lidhje edhe me fuqizimin e mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë. Kemi hyrë në diskutime për të sjellë akademinë e Rafael Nadal, ku shpresoj që t’i bashkëngjitet kampusit të Manchester City-t. E gjithë ajo zonë do të kthehet nga një kënetë e dikurshme në një zonë shumë atraktive. Ashtu siç patëm sukses me Manchester City-n, të sjellim dhe akademinë e Nadal në Durrës. Deri dje këto projekte dukeshin si të paimagjinueshme, ndërsa sot duken gjithnjë e më mundshme. Shqipëria është bërë një vend që kur shqiptohet në emër tërheq vëmendjen në të gjitha fushat. Do vazhdojmë të ndërtojmë më tutje Shqipërinë e 2030.”, u shpreh Rama.

Po ashtu Rama tha se “Hapja e akademisë dhe prania juaj këtu është më shumë se kaq. Impakti që do të keni në vendin tonë do të jetë vërtetë unike. Shpresoj që rrugëtimi dhe prania juaj këtu t’ju japë fat. Vërtetë faleminderit që jeni këtu dhe në një moment me shi, por për ne është shumë e rëndësishme. Ne jemi një vend ku 90% e energjisë prodhohet nga burimet ujore. Ju sollët lot gëzimi sot. Sollët shumë energji dhe ndaj ju falënderoj për çdo gjë.

Nëse nuk keni ndërmend, nuk besoj se është fyerje kjo…pra nëse nuk keni ndërmend të nënshkruani bluzat e Mabnchester City-t… do jetë dëshmi e pranisë suaj. Do lutemi që të vini këtu sa herë të kemi probleme me energjinë.”.