Vllaznia në xhudo ka marrë sot edhe dy tituj të tjerë kampion në sportin e xhudos. Kampionati kombëtar i zhvilluar në sallën sportive “Fahrije Hoti” të kryeqytetit, ka shënuar dominimin e sportistëve shkodranë edhe për këtë vit. Në këtë kampionat kanë marrë pjesë ekipet dhe sportistët më të mirë të vendit. Kështu, në garat e meshkujve, xhudistët shkodranë kanë zënë përveç vendit të parë në renditjen ekipore, edhe disa vende të para në garat individuale. Kështu në peshën 66 kg Lurjan Kaçi është shpallur kampion dhe përveç tij edhe Luigj Shkoza në peshën 73 kg, Eduard Prengën në peshën 81 kg, Ylli Ujka në peshën 90 kg dhe Ndoc Ndoci në peshën 100 kg.


Pra plot 5 tituj kampion për xhudistët e Vllaznisë ndërkohë që ka patur edhe tre vende të dyta për Krismando Bishën, Leonard Qafikun dhe Alfons Babanin. Me këto rezultate, Vllaznia ka zënë vendin e parë në renditjen ekipore me diferencë të madhe pikësh me Dinamon e vendit të dytë. Por dominimi i shkodranëve nuk ka qenë vetëm në garat e meshkujve por edhe në atë të femrave. Kështu,  Anxhela Krasniqi është shpallur kampion në peshën e lehtë ndërsa Aurora Shkoza kampione në peshën 57 kg. Me këtë ecuri, edhe ekipi i femrave ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion i vendit. Ky është një tjetër sukses për xhudistët e Vllaznisë,  sukses që vjen falë punës së sportistëve por mbi të gjitha  e trajnerit Anton Shkoza që ka një meritë të padiskutueshme në gjithë këto trofe të marra.

 

Gjergj KOLA