Shkodra do të jetë qyteti mikëpritës i një ndeshje futbolli që do zhvillohet mes ekipeve kombëtare të femrave të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Kjo gjë është vendosur pikërisht ditën e sotme. Njëkohësisht është caktuar edhe data, e cila do jetë 18 maji. Mes dy federatave ka kohë që ka kontakte për këtë miqësore dhe tashmë është ajo rregulluar. Sigurisht që ndikimin e vet për ta luajtur në Shkodër këtë miqësore e ka patur edhe fakti që në këtë qytet është edhe ekipi kampion i Shqipërisë- Ada e Velipojës, në rradhët e së cilës luajnë disa futbolliste të kombëtares.

Po ashtu, presidenti Lazër Matia, ka qenë njeriu që ka negociuar për këtë ndeshje teksa ka marrë përsipër disa gjëra edhe për grumbullimin e ekipit tonë kombëtar në Shkodër disa ditë para ndeshjes. Një tjetër urë lidhëse mes dy kombëtareve, sigurisht që kanë qenë edhe tre futbolliste të Adës të cilat janë pjesë e kombëtares malazeze të futbollit. E rëndësishme është që kjo miqësore do luhet dhe për më tepër në Shkodër. Pas miqësores së luajtur gushtin e kaluar në mes dy ekipeve të meshkujve, tashmë do kemi një tjetër miqësore mes kombëtareve të dy vendeve fqinje dhe kjo është diçka pozitive sepse qyteti i Shkodrës po i jep tonin këtij lloji futbolli në Shqipëri.

www.shkodrasport.com