Tek Vllaznia e kanë marrë me vrull ndërtimin e skuadrave për pjesmarrjen në Kupat e Europës fillimisht dhe më pas për sezonin e ri. Si rrjedhojë drejtuesit e klubit fillimisht kanë rinovuar kontratat me disa prej lojtarëve më të rëndësishëm dhe më pas është kaluar edhe tek mbyllja e bashkëpunimit me disa të tjerë.
Njëri prej lojtarëve të rëndësishëm të kuqebluve, pikërisht Esat Mala duket se nuk bën pjesë në planet e Vllaznisë për sezonin e ri. Kontrata e tij me ekipin shkodran ka përfunduar dhe këtë herë mesa duket palët nuk do të negociojnë për zgjatjen e saj.
Edhe vetë mesfushori duket se kërkon të nisë një eksperiencë të re në një skuadër tjetër, pas 4 viteve të kaluara në Shkodër ku duhet thënë se është vlerësuar maksimalisht si nga drejtuesit, ashtu edhe nga tifozët.
Një futbollist model si në fushë edhe jashtë saj dhe padyshim që një ndarje e tillë krijon keqardhje megjithatë i tillë është futbolli dhe lojtarët duhet të shohin përtej emocioneve. Tashmë mbetet për t’u parë se ku do të vazhdojë karriera e 27 vjeçarit i cili më përpara ka luajtur edhe me Partizanin në Superiore.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


