Federata Shqiptare e Futbollit, klubet tona dhe sigurisht vetë tifozët, duan që të hiqen kufizimet për hyrjen në stadium. FSHF dhe klubi i Vllaznisë i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me shkresë zyrtare për hapjen 100% të stadiumeve, sepse sipas tyre nuk ka më sens të ketë kufizime.

Në Shkodër më shumë se kudo kërkojnë në këtë moment që në stadiumin “Loro Boriçi” të lejohet hyrja e tifozëve në 100% të kapacitetit të tij. Vllaznia po ecën mirë në Eruopë dhe tifozët e saj janë të uritur për të përjetuar emocionet unike që ua fal skuadra e zemrës.

Askush nuk dëshiron të privohet nga kjo kënaqësi. Në fund të fundit, sipas tyre është më mirë që stadiumet të mbushen nga ultrasit e futbollist se nga ultrasit politikë.

Sherif Fregjaj, apo “Sheri snaiperi” siç e njeh gjithë Shqipëria, një nga drejtuesit e grupimit “Power 12”, duke folur për *Gazeta Si* për këtë temë, thekson se është absurde që stadiumet të mbushen për mitingje dhe në to të mos lejohen tifozët. “Nuk ka kuptim që të na kufizojnë për të parë Vllazninë. Gjithë Shqipëria e di se çfarë është Vllaznia për shkodranët. Personalisht, nuk i jam ndarë skuadrës për asnjë moment, e kam ndjekur kudo.

Edhe më parë i jemi drejtuar me letër të hapur Ministrisë së Shëndetësisë, Federatës Shqiptare të Futbollit apo dhe Komitetit të Ekspertëve që të na lejojnë të ndjekim ndeshjet në stadium. Në stadium
çfarë nuk është bërë, janë bërë mitingje politike kur ishin zgjedhjet, me mijëra vetë dhe kur kishte më shumë raste të infektuarish.

Pse tifozët të mos lejohen, kur stadiumi është për ne? U zhvillua Europiani, sheshet ishin plot me tifozë, u lejuan të grumbulloheshin me mijëra. Nuk ka pse të ketë kufizime për ne tifozët që e ndjekim skuadrën tonë me shpirt”, – thotë tifozi shkodran.

Më tej ai jep edhe një argument tjetër, pse të paktën në “Loro Boriçi” s’duhet të ekzistojë kufizimi deri në 30% të kapacitetit, i vendosur nga qeveria që nga data 1 korrik.

“Dua të theksoj faktin se stadiumi ynë, “Loro Boriçi”, është i madh dhe nuk do të përbënte rrezik për sa i takon pandemisë. Është ambient i hapur dhe nuk është si stadiumet e vegjël të Shqipërisë, fjala bie në Ballsh apo Kamzë. Dakord, nuk ke mundësi të lejosh pjesëmarrjen 100%, po 10 mijë tifozë a mund të lejohen në gjithë atë stadium? Sigurisht që po”.

Vllaznia luan nesër ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës ndaj Ael Limasol dhe të gjithë duan të jenë aty, në shkallët e “Loro Boriçit”, për ta përkrahur sipas rregullave, edhe pse në ndonjë moment është pak e vështirë që të gjithë tifozët të jenë të disiplinuar.

“Sheri Snaiperi” tregon në fund për *Gazeta Si* se çfarë lufte po bëhet në Shkodër për një biletë: “Kam siguruar më shumë se 600 bileta dhe nuk guxoj të hap telefonin, sepse të gjithë duan biletë për të parë ndeshjen me Ael Limasol. Tifozët po shtrëngohen në radhë për bileta, është absurde. Është më e rrezikshme aty se në stadium”.

Gjasat janë që në Shkodër edhe nesër të kenë ndonjë tolerim sa i takon kalimit të 30%-shit. Nga UEFA nuk ka kufizime, thjesht është lënë në dorë të autoriteteve të çdo vendi për ta vendosur për këtë çështje, ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e sporteve nuk ka pse të jenë kaq indiferente. Ndoshta do të reagojnë për ndeshjet e Kombëtares në shtator, për protagonizëm, si gjithmonë, por edhe tifozët e qyteteve meritojnë vëmendje, sidomos ata shkodranë.