Akademia e Vllaznisë, me tre grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë tri fitore. Ekipet kuqeblu, duke nisur nga U-13, U-14 dhe U-15 do të luajnë ditën e sotme përkatësisht ndaj Laçit dhe Flamurtarit.
Kështu, ekipi U-13, që drejtohet nga trajneri Brikeno Bizi, do të luajë në transfertë ndaj Laçit. Kjo ndeshje do të luhet në Kurbin, duke filluar nga ora 10:00. Momentalisht, shkodranët renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm katër pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.
Ndërkohë, ekipet U-14 dhe U-15, që drejtohen nga trajnerët Arben Parmeza dhe Fatjon Hasani, do të presin në “Reshit Rusi” ekipet e Flamurtarit. Vllaznia U-14 renditet në vendin e parafundit në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm katër pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani. Përballja e U-14 mes Vllaznisë dhe Flamurtarit do të luhet në orën 10:00 në fushën “Reshit Rusi”.
Ndërkohë që, menjëherë pas tyre, në orën 12:00, po në këtë fushë do të zbresin 15-vjeçarët e këtyre dy ekipeve. Sa i takon ekipit të Vllaznia U-15, ka pozita më të mira në kampionat, duke u renditur në vendin e pestë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e tetë pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.
Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI