Akademia Shkodra, me tre grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë tri fitore. Ekipet shkodrane, duke nisur nga U-13, U-17 dhe U-19 do të luajnë ditën e sotme ndaj një kundërshtari të vështirë, siç është Bylis.

Fillimisht, në fushë do të jetë ekipi i U-17, i drejtuar nga trajneri Semir Gogaj, të cilët kërkojnë të rikthehen në kampionat me ecurinë e fitoreve, pas humbjes javën e kaluar dhe ndeshja e tyre pritet me shumë interes. Ky ekip renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit në kuotën e 10-pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani.

Trajneri Gogaj beson tek futbollistët e tij se do të marrin një fitore ndaj Bylisit, edhe pse do të ndeshen ndaj një kundërshtari të vështirë. Megjithatë, gjithçka rreth ndeshjes së 17-vjeçarëve, Shkodra-Bylis mbetet për t’u parë sot në fushën sportive të Shtojit, duke filluar nga ora 11:00.

Ndërkohë, menjëherë pas U-17, në fushë do të jetë edhe ekipi i Shkodra U-19. Skuadra e drejtuar nga Ersi Çaku, edhe pse do të jetë me ndonjë mungesë për shkaqe dëmtimesh, kërkon fitoren e parë për sezonin e ri ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, siç është Bylis U-19, që renditet në vendet e para të klasifikimit.

Ndërkohë, Shkodra U-19 renditet në vendin e dhjetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm dy pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani. Në fakt, ekipi i trajnerit Ersi Çaku ka prodhuar futboll dhe shumë raste në fushën e lojës në ndeshjet që ata kanë zhvilluar deri më tani, por siç duket fati nuk ka qenë me ta që të vijë edhe rezultati. Ndeshja Shkodra U19-Bylis do të luhet në fushën sportive të Shtojit, duke filluar nga ora 13:00.

Poashtu, ditën e sotme fitore do të kërkojë edhe ekipi i U-13 në ndeshjen po ndaj Bylisit, menjëherë pas ndeshjes së U-19. Kujtojmë këtu se, Shkodra U-13 renditet në vendin e tetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e pesë pikëve në po pesë ndeshje të luajtura deri më tani. Ndeshja e 13-vjeçarëve, Shkodra-Bylis do të luhet në fushën sportive të Shtojit, duke filluar nga ora 15:00.

Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë Shkodra, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI