Pas ballafaqimeve me ekipet e Partizanit, këtë javë ekipet e Akademisë Vllaznia do të përballen në ndeshjet e rradhës me ato të Tiranës. Ndeshjet do të luhen në fushën sportive “Reshit Rusi” ditën e shtunë. Ka patur një afrim të ditës së zhvillimit të ndeshjeve por kjo nuk përbën ndonjë problem sepse në fakt janë dy ndeshje që priten me shumë interes.

Sa i takon takimit të 17 vjeçarëve, si Vllaznia ashtu edhe Tirana ndodhen në krye të renditjes me nga 10 pikë secila pas katër javësh kampionat. Të luajturit e këtij takimi në Shkodër sigurisht që favorizon vendasit e drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani  të cilët padyshim që do të kërkojnë fitoren me qëllim ruajtjen e vendit të parë në renditje por edhe shkëputjen nga njëri prej ekipeve rivale. Vllaznia U-17 deri më tani ka bërë një paraqitje shumë të mirë në kampionat dhe ndonëse nuk ka emra të spikatur në rradhët e saj, duket se fryma e kolektivitetit ka bërë që rezultat të mos mungojnë në katër ndeshjet e deritanishme. Janë tre fitore të arritura dhe një barazim ndërkohë që ende nuk njeh shijen e humbjes. Por shumë interesant është edhe golaverazhi me 10 gola të shënuar dhe vetëm 1 të pësuar. Sakaq, me interes pritet edhe ballafaqimi i 19 vjeçarëve. Kuqeblutë e trajnerit Zmijani vijnë pas humbjes në ndeshjen e fundit me Partizanin dhe padyshim që do të kërkojnë fitoren ndaj Tiranës e cila ka tre pikë më shumë në renditje. Një fitore e mundshme e tyre do t’i barazonte me pikë ato me bardheblutë. Por tek kampionati i të rinjve vazhdon të bëjë një paraqitje shumë të mirë ekipi i Akademisë Ajaks i cili për momentin mban vendin e dytë në renditje. Të mos harrojmë se javën e ardhshme kemi derbin e tij përballë Vllaznia U-19, një ndeshje që pritet me mjaft interes.

© shkodrasport.com