Sporti i tenisit është në fillimet e tij në vendin tonë, por në Shkodër ka pak kohë që është inaguruar një kompleks tenisi, që është më i miri në Shqipëri dhe ndër më të mirat në Ballkan.

Kompleksi i tenisit ndodhet në njësinë Rrethina në fshatin Shtoj i Vjetër, në një distancë prej jo më shumë se 10 minutash nga Shkodra, duke i dhënë mundësinë të gjithëve që të bëhen pjesë e këtij sporti elitar.

Një nga anëtarët e kryesisë së klubit Shkodra Tenis Club, Alban Dani, foli për këtë kompleks modern, teksa u ndal edhe tek turneu që u zhvillua këtë fundjavë në Shkodër.

“Eshtë bërë një kompleks shumë modern. Kompleksi më i madh në rajon me tetë fusha, që janë të mbuluara dhe këtë fundjavë, organizuam një ndër turnetë më të mëdhenj që zhvillohet në Shqipëri, me një pjesëmarrje shumë të gjerë, mbi 80 lojtarë të grupmoshave të ndryshme, ku zhvilluam një aktivitet që ka lënë mbresa tek të gjithë.

Eshtë një investim krejt privat, që grupi i investitorëve, duhet përgëzuar në mënyrë të veçantë, për arsye sepse i ka dhuruar qytetit një pikë dhe një imazh tjetër. Vetëm në këtë fundjavë, Shkodrën e kanë vizituar mbi 200 vetë, vetëm nga kompleksi jonë”,-tha gjatë prononcimit të tij, anëtari i kryesisë së klubit Shkodra Tenis Club, Alban Dani.
Maringlen ZHIVANI