Vetëm dy ditë ka zgjatur dënimi për mbrojtësin Eni Imami, për të cilin drejtuesit e klubit vendosën të stërvitej me ekipin U21, për shkak të debatit që pati me drejtorin Barushi në derbin me Tiranën.
Lojtari respektoi vendimin, ndërsa dje i është bashkuar grupit të ekipit të parë në stërvitjen e radhës.
Kujtojmë që mbrojtësi vjen nga një dëmtim dhe tani duhet të fitojë konkurrencën me Mijën ose Ali Samaken që të rikthehet në formacion.
Trajneri Vanoli preferon të luajë me tre mbrojtës dhe Sofranak është i sigurt në këtë treshe.
Gjatë kësaj jave stafi teknik e ka rritur pak ngarkesën në stërvitje, kurse për të shtunën është menduar të luhet një ndeshje miqësore me një kundërshtar nga Kategoria e Parë, që ende nuk është përcaktuar.