Gazeta “Shkodra Sport” organizoi mbrëmë një ceremoni çmimesh për sportistët më të mirë të vitit 2022. U vlerësuan personazhet e sportit për vitin që po lëmë pas, talentet, por pati edhe 3 çmime mirënjohje për veteranë të sportit shkodran. Një nga personazhet sportivë të vitit ishte edhe Megi Doçi.

Absolutisht futbollistja më e mirë femër në futbollin tonë. Ajo që ka vendosur rekorde të panumërta me golat e saj, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. Doçi po ashtu në vitin 2022 ishte ndër ato sportiste që spikati me performancën e saj. E duke merituar kështu edhe këtë çmim nga “Shkodra Sport” si një prej personazheve të vitit 2022.

E fama e saj i tejkalon edhe kufinjtë e Shqipërisë, ku me pjesëmarrjen e Vllaznisë së femrave në grupet e Champions League, vlerat e sulmueses dolën në pah. Madje Doçi realizoi edhe golin historik kundër Real Madrid në Champions League. Një supergol për të qenë të sinqertë, ku shënoi nga goditja e dënimit përballë spanjolleve. E për një gol të tillë ishte dhënë një premtim.

Presidenti Alban Xhaferi, i Vllaznisë së meshkujve kishte premtuar se cilado lojtare do shënonte gol në Champions League do kishte një shpërblim financiar. Dhe një premtim i tillë është mbajtur mbrëmë nga ana e Xhaferit. Ku në momentin që Doçi mori çmimin dhe dhuratat, po ashtu mori edhe zarfin me 1 mijë euro brenda. Një bonus ky për lojtaren më të mirë në vend, ku jo vetëm ajo, por i gjithë ekipi i Vllaznisë së vajzave meriton vlerësime dhe shpërblime për çfarë kanë arritur gjatë vitit 2022.
Endri ÇINARI