Tuesday, February 10, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- sulmuesin kampion të Vllaznisë, Adem...

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- sulmuesin kampion të Vllaznisë, Adem Smajlin

Shkruar nga Gjergj KOLA

Vllaznia e viteve ’45 dhe ’46 ka qenë ajo skuadra e pathyeshme e cila u shpall dy herë rradhazi kampione e Shqipërisë. Një ekip i shkëlqyer, me lojtarë të pakrahueshëm me askënd. Rrjedhojë e këtij niveli të tyre erdhën edhe sukseset në fjalë. Por sot duam të ndalemi tek njëri prej tyre.

E kemi fjalën për Adem Smajlin (Durrajn), ish- sulmuesin e njohur të këtij ekipi. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 106 vjetorit të lindjes së tij.

Ka lindur në Shkodër më 10 shkurt të vitit 1920 në lagjen Rus, e cila si çdo lagje e qytetit të Shkodrës, grumbullonte në fushën e saj dhjetëra e dhjetëra të rinj që luanin me pasion lojën e futbollit. Ishte koha kur këta të rinj luanin futbollin e bukur të lagjeve dhe rrugicave të qytetit tonë.

Pikërisht në këto rrugica doli edhe futbollisti i mirënjohur i “Vllaznisë”, Adem Smajli. Shumë shpejt ai fitoi simpatinë e shokëve dhe tifozëve të skuadrës shkodrane, me të cilën do të fitonte titullin e lartë kampion në vitet 1945 e 1946, dy kampionatet e para të pasluftës.

Ademi, numri 7 i “Vllaznisë”, ishte njeriu me më shumë humor i skuadrës. Tek ai shokët dallonin cilësitë më të mira: thjeshtësinë, si në jetë ashtu edhe në lojë, dhe shpirtin e lartë të sakrificës për shokun.

Ademi, sulmuesi i djathtë i “Vllaznisë”, ishte i shpejtë dhe i saktë, krosues topash milimetrikë, duke u bërë kësisoj edhe një mbështetës i lojës rezultative të ekipit shkodran. Shpeshherë, prej topave të këtij sulmuesi klasik të krahut, dilnin në dritë shumë gola të bukur.

Thamë se Ademi kishte shumë humor. Dhe ai e përdorte këtë gjë herë pas here kur loja nuk shkonte ashtu siç donin shokët e skuadrës. Muçi, Meti, Muhameti, Preka, Xhoda, Xhelali etj., thonë për Ademin të njëjtin mendim: futbollist që ka sakrifikuar gjithnjë dhe që ka shkëlqyer gjithmonë.

Adem Durraj ishte i pazëvendësueshëm si lojtar, por edhe si shok. Ai ishte kurdoherë buzagaz dhe i dashur me të gjithë. Me fizarmonikën e tij, që aq mirë e njihte dhe e përdorte, ai sillte gjithnjë gëzim në radhët e skuadrës. Humori dhe optimizmi karakteristik ishin nxitja më e fortë dhe “përgatitja më e madhe psikologjike” që mund t’i bëhej “Vllaznisë” për të fituar çdo ndeshje. Filloi të luante me këtë skuadër në vitin 1937 dhe e mbylli karrierën në vitin 1952.

Pasionin për futbollin, ai do ta transmetonte tek i biri- Suadi, i cili u bë një nga emrat më të njohur të Vllaznisë së viteve ’80. E ku ka më bukur se babë e bir duke dhënë kontributin e tyre për skuadrën e zemrës- Vllazninë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments