✍️ Shkruar nga Gjergj KOLA
Sot mbushen 7 vjet që nuk është më mes nesh një emër shumë i njohur i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Viktor Jubani. Ai u nda nga jeta pikërisht më 7 nëntor të vitit 2018, pas një sëmundjeje të rëndë.
Në këtë përvjetor të shtattë të ndarjes së tij nga jeta, kuptohet që familjarët dhe miqtë e tij kanë një arsye më shumë për ta kujtuar këtë prind të mirë, këtë volejbollist të mirë, këtë trajner të mirë, këtë muzikant të mirë dhe, po ashtu, edhe njeri të mirë.
Viktor Jubani e ka filluar sportin në vitin 1958, kur regjistrohet me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Po atë vit, do të shpallej kampion i Shqipërisë me këtë ekip. Një vit më vonë është grumbulluar me ekipin kombëtar të volejbollit.
Po në vitin 1959, kalon te ekipi i të rriturve të Vllaznisë, ndonëse ishte vetëm 16 vjeç, dhe me të do të aktivizohej deri në vitin 1961. Ekipi shkodran në këto vite renditej në mes të tabelës së klasifikimit, shkruan shkodrasport.com
Në vitet 1961–1966 është student në Tiranë, në degën e biokimisë, dhe njëkohësisht gjatë kësaj periudhe është aktivizuar me ekipin e volejbollit “Studenti”, ku ka luajtur në rolin e shuterit kryesor, madje ka qenë edhe kapiten i tij.
Viktori, në vitin 1962, është grumbulluar me ekipin kombëtar të volejbollit, pikërisht për ndeshjet e Kampionatit Botëror që u zhvilluan në Moskë. Në vitin 1963 është grumbulluar me ekipin kombëtar të të rinjve për Kampionatin e të Rinjve që u zhvillua në Bullgari.
Në vitin 1966, ndërkohë, do të bëhej pjesë e Dinamos dhe do të luante me të në Kupën e Kampioneve të Europës të edicionit 1966–67. Po në gusht të atij viti, është grumbulluar dhe stërvitur për një muaj në Kinë me ekipin e Dinamos, duke u përgatitur për Kupat e Europës.
Në kuadër të këtyre ndeshjeve, në nëntor të vitit 1966 u luajt në Tiranë ndeshja e parë ndaj “Virtus Bologna” dhe Dinamo fitoi 3–0. Në dhjetor u zhvillua ndeshja e kthimit në Itali, që u fitua nga vendasit 3–0, por dinamovitët u kualifikuan në turin tjetër për diferencë më të mirë pikësh.
Në janar 1967 u angazhua si pjesëtar i skuadrës së Dinamos kundër kampiones së Holandës “Blockers Den Haag”. Rezultati: Dinamo 3–0 Blockers Den Haag dhe 0–3 në Holandë, citon shkodrasport.com.
Viktor Jubani në vitin 1967 u kthye në Shkodër për të punuar në sektorin e arsimit dhe u aktivizua me ekipin e volejbollit të Vllaznisë, gjithmonë në rolin e shuterit kryesor. Ai do të vazhdonte të luante deri në vitin 1974.
Gjatë kësaj periudhe, me ekipin e Vllaznisë ka patur disa herë vendin e dytë në klasifikimin e kampionatit kombëtar.
Por, ndërkohë, ka fituar tre herë Kupën e Republikës dhe njëkohësisht ka luajtur në disa takime ndërkombëtare me ekipin përfaqësues të Pekinit, me ekipin rumun “Traktoral” Brașova etj.
Ka qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer volejbollistësh si Haxhi, Fistani, Bakalli, Paloka, Bushati, Gjonaj, Sterkiq etj., duke u vlerësuar edhe si “Volejbollisti i Shekullit” për SK Vllaznia, duke lënë pas shumë kujtime që, pa dyshim, do të mbeten përjetë në mendjet e sportdashësve shkodranë.
Në vitin 1974 është tërhequr nga aktiviteti sportiv me ekipin e Vllaznisë dhe ka filluar të japë kontributin e tij në klasat sportive të volejbollit. Nga ky vit e deri më 1989, njëkohësisht ka punuar si mësues i edukimit fizik në klasat sportive të volejbollit në Shkodër, duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe duke zënë pesë herë vende nderi. Nga nxënësit e stërvitur në këto klasa sportive, ka nxjerrë sportistë të dalluar e pjesëtarë të kombëtares sonë të volejbollit në vitet në vijim.
Në vitin 1986, Viktor Jubani është caktuar trajner i ekipit të volejbollit të para-të rinjve dhe më pas i të rinjve të Vllaznisë. Në shtator të vitit 1989 u emërua trajner i ekipit të parë të të rriturve të Vllaznisë, duke zënë vende nderi. Më vonë është thirrur herë pas here nga Klubi Sportiv “Vllaznia” për të dhënë mendime e kontribute të ndryshme në lidhje me rritjen e cilësisë së volejbollit, të trajnerëve dhe të brezave të rinj të lojtarëve.
Por përveçse si mësues, sportist e trajner, Viktor Jubani në profesion ka qenë biokimist dhe si rrjedhojë hapi Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në Shkodër, të cilën e drejtoi derisa doli në pension. Po ashtu, të gjithë e kujtojnë këtë personazh edhe si një muzikant shumë të zotin. Ai luante në fizarmonikë me stilin e tij të mirënjohur. Muzika e tij e preferuar ka qenë jazz-i.
Gjithashtu, Viktor Jubani ka qenë edhe koleksionist e filatelist. Kishte shumë pasione të bukura si motori “Vespa”, radion dhe, mbi të gjitha, ishte një qytetar i mirë e i respektuar. Pjesëtar i një prej familjeve më të vjetra dhe qytetare të Shkodrës. Ky ishte një profil i shkurtër i Viktor Jubanit, i cili është ndarë nga jeta shtatë vjet më parë, duke lënë pas shumë kujtime të bukura.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







