Shkruar nga Gjergj KOLA
Një nga emrat më të njohur të çiklizmit shkodran është padyshim Ruzhdi Muriqi. Kampion si invidid, por më shumë ka spikatur si trajner duke fituar disa trofe nën drejtimin e ekipit të Vllaznisë. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me 12 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta dhe prandaj është momenti i duhur për ta rikthyer atë sërish në vëmendje.
Ruzhdi Muriqi ka lindur në Shkodër më 1 korrik 1945 dhe në rininë e tij merret me sportin e çiklizmit. Fillon menjëherë të spikasë për paraqitjet e tij dhe në vitin 1964, kur ishte vetëm 19 vjeç do të zinte vendin e parë në Rrethin Çiklistik të Shqipërisë. Do të vazhdonte edhe për disa vite të tjera të ishte gjithnjë në nivele të larta dhe ndër më të mirët e vendit.
Ndërkohë pas lënies së sportit, do të niste punë si trajner. Fillimisht me ekipet e moshave të Vllaznisë dhe nga viti në vit nga duart e tij dalin sportistë cilësorë që mbushin rradhët e ekipit të të rriturve.
Në gjysmën e dytë të viteve ’80 do ta merret ai drejtimin e ekipit të Vllaznisë dhe duke patur në rradhët e tij vëllezërit Tafili, Brahim Sykën, Mehdi Muriqin, Fuat Muriqin, Sabetin Hoxhën, Leonat Kolën e tij, do të vijonin sukseset dhe çiklistët shkodranë “do të bënin ligjin” në këtë sport duke fituar shumë trofe në rang kombëtar.
Ruzhdi Muriqi njëkohësisht do të ishte për shumë vite me rradhë edhe trajner i ekipit kombëtar dhe sukseset nën drejtimin e tij nuk kanë qenë të pakta. Do të vijonte të ishte trajner i Vllaznisë edhe për shumë vite të tjera dhe ndonëse përmes shumë vështirësive ia arriti ta mbante në këmbë ekipin shkodran.
U nda nga jeta më 15 shkurt të vitit 2014 në moshën 68 vjeçare, duke lënë pas një emër shumë të mirë si një prej strategëve të këtij sporti në Shkodër dhe në Shqipëri.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


