Sunday, March 29, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- kampionit të Europës, Izmir Smajlaj

ALMANAK/ Sot ditëlindja e ish- kampionit të Europës, Izmir Smajlaj

Shkruar nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për atletikën në Shkodër dhe Shqipëri, një nga emrat më të respektuar dhe më të vlerësuar, padyshim, është ai i Izmir Smajlajt. Atleti që ka arritur, shtatë vjet më parë, të shpallej kampion i Europës në Beograd, në garën e kërcimit së gjati.

Po ndalemi sot te ky personazh, sepse kjo është një ditë e veçantë për të. Ai ka ditëlindjen, feston 33-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Izmiri ka lindur në Shkodër më 29 mars 1993 dhe ka nisur të merret me atletikë që në moshë të vogël, teksa do të lidhej me mjeshtrin e trajningut, Vildan Tufin, i cili, duke parë edhe konstruktin e tij fizik, e drejtoi drejt garave të kërcimeve.

Dhe sukseset nuk do të mungonin. Fillimisht shpallet kampion i Shqipërisë, por kulmin do ta arrinte më 4 mars 2017, kur në Beograd ai kërcen 8.08 metra dhe shpallet kampion i Europës në sallë të mbyllur. Më pas, po në vitin 2017, do të zinte vendin e parë në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Stamboll, Turqi, duke u shpallur kampion Ballkani.

Në vitin 2018 do të zinte vendin e parë në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, që u zhvillua në Lihtenshtejn. Në vitin 2020, sërish shpallet kampion Ballkani në Turqi dhe këtë sukses do ta përsëriste edhe në vitin 2021, po në Stamboll, duke u shpallur për herë të tretë kampion Ballkani në sallë të mbyllur. Po në vitin 2021, ai do të zinte vendin e parë edhe në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, të zhvilluar në San Marino.

Edhe në vitin 2022 do të shpallej kampion Ballkani në sallë të mbyllur në Stamboll, duke kërcyer 7.79 metra. Izmir Smajlaj mban gjithashtu rekordet kombëtare në garat e kërcimit së gjati (8.16 metra) dhe në trehapësh (16.30 metra).

Ndërkohë për shkak të disa dëmtimeve të njëpasnjëshme, ai u detyrua ta mbyllte karrierën e tij sportive para kohe. Megjithatë ai nuk është larguar nga sporti i tij i preferuar. Kjo sepse që prej datës 5 maj 2025, ai është zgjedhur dhe tashmë mban postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, teks do të kërkojë të bëjë më të mirën e tij edhe si drejtues tashmë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments