Shkruar nga Gjergj KOLA
Në historinë e futbollit shkodran të pas viteve ’90, një vend të rëndësishëm zë edhe një lojtar që për një periudhë të gjatë veshi fanellën e Vllaznisë dhe dha një kontribut të çmuar në arritjen e sukseseve të saj.
Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin kuqeblu Ilir Dibra, i cili sot feston 49-vjetorin e lindjes. Me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Shtatlarti shkodran ka luajtur në qendër të repartit të mbrojtjes dhe është dalluar për lojën e fortë në ajër, por edhe për grintën dhe vendosmërinë me të cilat zbriste në fushën e lojës.
Dibra ka lindur në Shkodër më 16 korrik 1977 dhe që në rininë e tij zgjodhi t’i përkushtohej futbollit. Shumë shpejt u bë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë, me të cilin u shpall kampion i Shqipërisë në vitin 1998.
Gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me ekipet e Bylisit, Apolonisë dhe Luftëtarit, ndërsa në vitin 2000 regjistroi edhe dy paraqitje me ekipin kombëtar shqiptar gjë që mund të konsiderohet kulmi i karrierës së tij. Bëhet fjalë për ndeshjet Shqipëri- Azerbajxhan 1-0 më 8 shkurt 2000 dhe Shqipëri- Maltë 1-0 më 10 shkurt 2000 dhe në të dy këto ndeshje Dibra është aktivizuar nga 90 minuta në fushën e lojës nga trajneri i atëhershëm i kombëtares kuqezi Medin Zhega.
Pas lënies së futbollit të luajtur, punoi për disa vite si trajner pranë Akademisë Vllaznia. Për një periudhë ishte pjesë edhe e stafit teknik të ekipit të parë të Vllaznisë, ndërsa ka drejtuar gjithashtu edhe ekipin e futbollit të femrave “Juban Danja”. Ndërkohë, prej gjashtë vitesh, Ilir Dibra jeton në Kanada së bashku me familjen e tij.
“Kujtimi për këta kampionë është mënyra më e mirë për të nderuar historinë e sportit shkodra dhe Gazeta “Shkodra Sport” do të vazhdojë ta bëjë si duhet detyrën e saj për t’u dhënë gjithmonë vëmendjen e duhur atyre.


