Shkruar nga Gjergj KOLA
Në historinë e Vllaznisë kanë dhënë kontribut shumë sportistë dhe në fakt jo të gjithë përmenden. Ndoshta jemi fokusuar tek disa prej emrave më të rëndësishëm por në sportet kolektive, kuptohet që gjithësecili ka dhënë më të mirën e vet për lartësimin e emrit të Vllaznisë.
Njëri prej tyre është edhe Viktor Plumbini. U ndalëm tek kjo figurë sepse për të dita e sotme është e veçantë. Ai ka ditëlindjen dhe feston 75 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Viktor Plumbini ka lindur në Shkodër më 7 prill 1951 dhe në rininë e tij në fakt fillimisht zgjedh të merret me pingpong dhe madje në vitin 1967 ai do të shpallej nënkampion i Shqipërisë falë talentit të tij, por edhe punës së trajnerit Xhemal Bilali. Një vit më vonë, pra më 1968 vendos të merret me futboll dhe i përkushtohet maksimalisht atij duke u rregjistruar fillimisht me ekipin e paratërinjve të Vllaznisë me trajner Qamil Medjen. Ai ka luajtur në repartin e sulmit, me këmbën e majtë dhe ka qenë një lojtar teknik dhe i shpejtë.
Në vitin 1969 kalon tek ekipi i të rinjve me trajner të mirënjohurin Xhelal Juka dhe aty qëndron dy vjet para se të kalonte tek ekipi i të rriturve ku në moshën 21 vjeçare do të arrinte suksesin më të madh të karrierës së tij, shpalljen kampion dhe fitimin e Kupës së Republikës me ekipin e Vllaznisë në sezonin 1971-72.
Madje në ndeshjen e fundit të kampionatit të këtij sezoni kur dhe kuqeblutë do të kurorëzoheshin kampionë të vendit, pikërisht atë ndaj Studentit të fituar me rezultatin 4-1, Plumbini do të shënonte golin e katërt dhe të fundit për Vllazninë, pikërisht në minutën e 88-të dhe më pas shpërtheu festa e madhe e shpalljes kampion.
Në dhjetor të vitit 1972 Viktori do të shkonte ushtar pikërisht në Vlorë dhe për tre vite me rradhë do të bëhej pjesë e ekipit të Flamurtarit me të cilin do të tregonte më së miri vlerat e tij duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të saj.
Rikthehet në Shkodër pas përfundimit të shërbimit ushtarak dhe do të vazhdonte të luante me Vllazninë deri në vitin 1979 dhe më pas do të luantee me luante për një vit me ekipin e Besëlidhjes së Lezhës. Këtu do të merrte fund edhe karriera si futbollist e Viktor Plumbinit, por ai nuk do të largohej nga futbolli.
Fillimisht do të punonte si zëvendëstrajner me ekipin e të rinjve të Vllaznisë duke punuar me shumë përkushtim përkrah një emri si Esat Rakiqi, ndërsa pas viteve ’90 ka qenë trajner i parë i ekipit Ada e Velipojës dhe bashkë me dy presidentët Lazer Matija dhe Alfred Pjetri arriti ta ngjisë këtë skuadër deri në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Ky është profili sportiv i Viktor Plumbinit, i cili ka lënë edhe ai gjurmët e veta në historinë e futbollit shkodran dhe mbetet një emër i nderuar i saj.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


