Tuesday, August 18, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREShifra pozitive, Vllaznia nuk e 'njeh' barazimin në start

Shifra pozitive, Vllaznia nuk e ‘njeh’ barazimin në start

Shkruar nga Endri ÇINARI

Starti i sezonit duket se ka qenë një terren i favorshëm për Vllazninë në vitet e fundit. Shifrat e katër edicioneve të fundit tregojnë një bilanc pozitiv për kuqeblutë në javën e parë të kampionatit, me tre fitore dhe vetëm një humbje. Një statistikë që krijon një tjetër element interesant në prag të debutimit të radhës.

Në sezonin 2025-26, Vllaznia e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur 2-0 Egnatian në shtëpi. Një triumf që i dha skuadrës shkodrane tre pikët e para dhe një nisje premtuese të edicionit, përpara një sezoni që do të kishte më pas ulje-ngritjet e tij.

Një vit më herët, në edicionin 2024-25, kuqeblutë regjistruan një tjetër fitore të rëndësishme në javën e parë. Përballë Partizanit në transfertë, Vllaznia triumfoi me rezultatin 0-1, duke marrë tre pikët që në start dhe duke dhënë sinjalet e para të një skuadre që do të ishte protagoniste gjatë sezonit.

Edhe sezoni 2023-24 nisi me sukses. Në atë rast, Vllaznia kishte përballë Kukësin dhe arriti një fitore bindëse 3-1. Pra, në tre edicionet e fundit, shkodranët kanë ditur gjithmonë ta nisin kampionatin me fitore, duke mos lënë pikë në takimin debutues.

Për të gjetur një start negativ duhet të kthehemi te sezoni 2022-23. Në atë edicion, Vllaznia u mposht 1-0 nga Erzeni, duke regjistruar humbjen e vetme në javën e parë gjatë katër sezoneve të fundit. Një tjetër e dhënë interesante është fakti se në këtë periudhë kuqeblutë nuk kanë njohur barazimin në debutim.

Tashmë, në prag të duelit të javës së parë të sezonit 2026-27 ndaj Skënderbeut, statistika është qartësisht në favor të Vllaznisë: 3 fitore dhe 1 humbje në katër debutimet e fundit. Kuqeblutë do të kërkojnë ta ruajnë këtë traditë edhe këtë herë, duke e nisur kampionatin e ri me tre pikë dhe një tjetër sinjal pozitiv që në hapin e parë.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments