Federata e Futbollit njofton hapjen e aplikimeve për kursin UEFA C, i cili do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës gjatë periudhës shtator–nëntor 2026.
Kursi është një mundësi e rëndësishme për të gjithë ata që synojnë të ndërtojnë një të ardhme në fushën e trajningut dhe të marrin formimin e nevojshëm për të nisur rrugëtimin e tyre si trajnerë futbolli.
Programi do të zhvillohet në disa etapa përgjatë periudhës së përcaktuar (21–23 shtator, 06 – 08 tetor, dhe 09 – 12 nëntor) ndërsa në përfundim do të zhvillohet provimi final dhe ceremonia e diplomimit.
Për t’u pranuar në kurs, kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Federata e Futbollit, duke përfshirë moshën minimale 20 vjeç, dokument identifikimi shqiptar, dëshmi të shkollës së mesme ose diplomë universitare, certifikatë shëndetësore, fotografi digjitale dhe dëshmi penaliteti.
Pas dorëzimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit nga Komisioni i Vlerësimit dhe Pranimit në FSHF, kandidatët që plotësojnë kriteret do të përfshihen në listën e të përzgjedhurve për ndjekjen e Kursit UEFA C.
Aplikimet mund të dorëzohen nëpërmjet postës elektronike, me postë me konfirmim marrjeje ose fizikisht pranë sekretarisë së shkollës së FSHF-së, në adresën e Federatës në Tiranë.
Afati i fundit për paraqitjen e aplikimeve është 1 shtator 2026. Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati nuk do të merren në shqyrtim.
Për informacione të mëtejshme mbi procedurën e aplikimit, përzgjedhjen e kandidatëve, organizimin dhe aspektet logjistike të kursit, të interesuarit mund të kontaktojnë sekretarinë e shkollës në adresën drejtoria.edukimit@fshf.al .
Kursi UEFA C zhvillohet në kuadër të angazhimit të FSHF-së për edukimin dhe formimin e vazhdueshëm të trajnerëve, duke kontribuar në rritjen e standardeve dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.


