Shkruar nga Gjergj KOLA
Kur flasim për volejbollin e meshkujve në Shkodër, kuptohet që shumëkujt mendja i shkon tek brezi i viteve ’80, i cili vërtet nuk arriti të fitonte tituj kampionë, por vetëm disa Kupa të Republikës, duke dhuruar njëkohësisht shumë emocione për sportdashësit. Pjesë e këtij brezi ka qenë edhe Besnik Lisha.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ka ditëlindjen. Ai feston 65-vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe të gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Besnik Lisha ka lindur më 7 mars 1961 dhe që në rininë e tij zgjodhi të merrej me volejboll. Pasi luajti me ekipet e të rinjve, ku spikati për vlerat dhe aftësitë e tij, në vitin 1979 kaloi tek ekipi i të rriturve të Vllaznisë, me të cilin do të luante për më shumë se një dekadë.
Ai ishte pjesë e një brezi të shkëlqyer sportistësh, i cili do t’i dhuronte klubit Vllaznia dhe qytetit të Shkodrës tre Kupa të Republikës njëra pas tjetrës, pikërisht në vitet 1985, 1988 dhe 1989. Dhe Besnik Lisha ishte gjithmonë aty, duke dhënë kontributin e tij.
Ka luajtur në pozicionin e “shuterit” dhe ka lënë gjurmë me aktivizimet e tij. Si rrjedhojë, në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të SK Vllaznia, ai është vlerësuar me titullin “Mirënjohje” nga Bashkia Shkodër, si një nga “Sportistët e Shekullit të Vllaznisë”.
“Ka qenë një kënaqësi dhe krenari që kam qenë pjesë e këtij klubi. Ruaj shumë momente të lumtura nga aktivizimi im me Vllazninë dhe padyshim që do të veçoja trajnerët e mi. Dua të përmend Petrit Juknin, Mehdi Temalin, Mark Grimcin, si dhe Viktor Jubanin e Flamur Agollin. Këta trajnerë kanë pasur një rol shumë të rëndësishëm në jetën time dhe falë tyre jam ky që jam sot”, është shprehur shpeshherë Lisha.
Prej shumë vitesh ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por vitet e fundit është rikthyer sërish në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij tashmë si trajner. Fillimisht tek Vllaznia dhe më pas për disa kohë tek Skënderbeu, ndërkohë që më vonë u rikthye sërish për një periudhë edhe tek Vllaznia e femrave.
Ndërkohë aktualisht drejton ekipin e femrave të Pogradecit, me të cilin ditët e fundit fitoi dy trofe: Ligën “Gjergj Kastrioti” dhe Kupën e Shqipërisë.
Volejbolli është jeta e tij. Jo më kot, pjesë e kësaj bote është edhe bashkëshortja e tij, Valbona, e cila gjithashtu vjen nga ky sport, ashtu si edhe i biri Gerti, që ka luajtur me shumë sukses në Amerikë, por edhe si pjesë e kombëtares shqiptare.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


