Kur flasim për futbollin shkodran padyshim që janë shumë emra që me lojën e tyre i kanë bërë nder vetes dhe klubit Vllaznia. Shumë prej tyre kanë marrë nderimet e duhura, por ka edhe prej atyre që janë “harruar”.

Njëri prej tyre padyshim që është Sait Çanga. Një personazh shumë i njohur për të cilin do të flasim sot sepse pikërisht në këtë ditë ai feston ditëlindjen e tij. Mbush 68 vjeç dhe me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Seit Çanga ka lindur në Shkodër më 16 maj 1954 dhe zgjedh të merret me futboll, edhe ngaqë një nga të afërmit e tij luante në atë kohë me Vllazninë, pikërisht Rauf Çanga.E nis në moshën 14 vjeçare, ndërkohë që në vitin 1972 do t’i bashkohej ekipit të parë të Vllaznisë.

Luan në rolin e qendërmbrojtësit (mbrojtës i lirë) me shumë sukses për shumë vite me rradhë, dallohej për lojën e tij, ndërhyrjet e sakta dhe mbi të gjitha sparkatat që i kishte një dhunti.

Me Vllazninë ka arritur të fitojë tre tituj kampionë, pikërisht në sezonet 1973-74, 1977-78 dhe 1982-83 si dhe i dy Kupave të Republikës në sezonet 1978-79 dhe 1980-81. Ka qenë lojtar i Kombëtares Shpresa pikërisht në vitin 1983 kur ajo u rendit në tetë më të mirat e Europës. Sait Çanga ka luajtur futboll deri në vitin 1984.

Pas lënies së karrierës si futbollist, për pak kohë ka punuar edhe si trajner duke qenë pjesë e stafit të Hysen Dedjes në vitin 1998 kur Vllaznia u shpall kampione e Shqipërisë. Më pas, Seit Çanga është larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ku jeton edhe sot e kësaj dite.
Gjergj KOLA