Nëse flet për basketbollin e femrave në Shkodër, emblema padyshim që është Xhuli Shestani. Ky është emri simbol i kësaj loje tek Vllaznia e cila për mbi dy dekada me rradhë ka dhënë një kontribut shumë të madh për këtë ekip.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ajo ka ditëlindjen, mbush 68 vjeçe dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Xhuli (Gjyljeta) Shestani ka lindur në Shkodër më 21 shkurt 1955. Fillimet e basketbollit i ka në vitin 1967 me Spartakiadën për fëmijë. Pas një viti u bë pjesë e skuadrës së të rejave të Vllaznisë. Pas 6 muajsh me të rejat e marrin tek skuadra e të rriturave të Vllaznisë.

Aty do të gjente 8 basketbolliste dhe pas 6 muajsh stërvitje me këtë ekip, ajo do të fitonte vendin e titullares dhe që atëherë e për 22 vite me radhë nuk ka lëvizur më duke qenë pjesë e 5-shes së parë. Ja si e kujton vetë Xhuli ndeshjen e saj të parë me Vllazninë:

“Kemi qenë në Korçë dhe pas 5 minutave lojë më aktivizoi trajneri Skënder Osmani sepse një vajzë luajti dobët. Bëra një ndeshje të mirë dhe realizova goxha pikë. Që atëherë e kam fituar vendin e padiskutueshëm të titullares dhe nuk kam lëvizur më nga formacioni i parë. Ndeshjen e parë kam qenë vetëm 13 vjeçe dhe që atëherë kam luajtur rregullisht”.

Ndër momentet më të bukura të saj me ekipin shkodran, Xhuli Shestani kujton medaljet e arta të fituar në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1979, e po ashtu edhe fitoren e Kupës së Republikës në vitin 1988.

Ndërkohë në aspektin individual, Xhuli do të spikaste sepse për 10 vite rresht ka dalë si pikëshënuesja më e mirë e Shqipërisë. Po ashtu është renditur ndër sportistet më të mira të Shkodrës pothuajse për çdo vit.

Ka punuar me disa trajnerë të njohur që kanë lënë gjurmë të thella tek ajo. Duke filluar me Marie Rranzi, Muhamet Sokoli, Skënder Osmani, Valter Kalaja dhe vitet e fundit edhe Renato Radoja.

Xhuli Shestani filloi me ekipin e parë të Vllaznisë kur pjesë e saj ishin Artenca Tufin, Bekide Keçiçin, Xhane Gega, Izabela Gera. Më pas ka luajtur me Valdete Hyka, Rozi Ukaj, Hydajete Hoxha, Moza Lika, Mira Borshin, Afërdita Haka, Moza Kraja, Luçe Haken, Myfarete Bashen, Silva Kraja, Marjeta Shutermeja, Irini Mitku e shumë të tjera.

Basketbollistja shkodrane është grumbulluar për herë të parë në ekipin kombëtar që në vitin 1972, kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe dhe do të vazhdonte të luante për vite me rradhë me të.Xhuli e ka lënë sportin në moshën 34 vjeçare.

Pas përfundimit të karrierës sportive, Xhuli Shestani për shumë vite ka punuar si trajnere e ekipeve të moshave të Vllaznisë duke fituar disa tituj kampionë nën drejtimin e tyre.
Gjergj KOLA

Titujt e Xhuli Shestani:

“Mjeshtre Sporti”

Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të 3-të

“Mjeshtre e Merituar”

“Nderi i Sportit Shqiptar”

”Sportistja e Shekullit”

”Mirënjohje” nga Federata e Basketbollit

Çmimi ”Palok Nika”

”Mjeshtre e Madhe”

“Basketbolliste e shekullit e SK Vllaznia”