Sporti i volejbollit në Shkodër natyrisht që në vite na ka dhuruar jo pak emra të talentuarish. Sportistë e trajnerë. Ndoshta diku më shumë dhe diku më pak, janë përmendur jo të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut të madh në këtë sport. Një i tillë është padyshim Irfan Boriçi.

Gazeta “SHKODRA SPORT” vazhdon te luaje rolin e saj per evidentimin dhe risjellen ne vemendje serish te ketyre figurave te shquara si Irfani. Po ndalemi sot te ky personazh sepse kjo ditë përkon me 69 vjetorin e tij të lindjes dhe me kete rast ne emer te gazetes dhe te lexuesve te saj, i urojme edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ai ka lindur më 15 qershor 1954 në lagjen “Perash” dhe shpejt nis të merret me volejboll, madje edhe i vëllai. Por duhet të dini, se i vogël ai është marrë edhe me atletikë, në garën e 10-garëshit. Megjithatë, në vitet 1968-69 rregjistrohet tek ekipi i paratërinjve të volejbollit kur e merr trajneri Vehbi Sulejmani.

Në sezonin 1969-70 luan një vit me ekipin e të rinjve dhe trajnerët e ekipit të parë, ka dëshirë ta përfshijë në rradhët e tij. Nis të luajë me ekipin e të rriturve të Vllaznisë, shumë i ri, vetëm 17 vjeç, në vitin 1971 kur krijohet një gjashtëshe shumë e mirë megjithatë rivaliteti në kampionat ishte shumë i fortë me Partizanin, Dinamon e 17 Nëntorin, pa lënë mënjanë edhe Skënderbeun e Flamurtarin.

Që në vitin e tij të parë me vllazninë, ai do të shkonte për herë të parë jashtë Shqipërisë, pikërisht në Kosovë, në një turne që ekipi do të zhvillonte atje, pikëtisht në qytetet e Prishtinës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Prizrenit. Boriçi kishte si pozicionin e tij të preferuar ka qenë nr.4, ai i shuterit.

Luan përkrah emrave të tillë ai Ali Bushati, Tonin Fistani, Sander Paloka, Viktor Jubani, Agustin Gjoni, Mihajl Stërkic, Kujtim Dani, Viktor Miri, ndërsa trajner në atë periudhë ishte Zef Toska, babai i volejbollisteve Toska që do të shquheshin vite më vonë me ekipin e Dinamos. Menjëherë pas këtij turneu e thërrasin edhe në kombëtare, ku luan përkrah emrave të tillë si Asllan Rusi, Dashamir Fagu, Hysen Domi, Kiço Lena etj.

Vetëm 17 vjeç në kombëtare megjithatë të dhënat e këtij sportisi ishin shumë të mira. Ai kishte një prekje prej 3 metrash e 45 centimetrash.Luan edhe në vitet 1972 dhe 1973 me skuadrën shkodrane dhe më pas, shkon ushtar ku aktivizohet me Partizanin. Me të del kampion dhe luan në Kupën e Kampioneve, madje duke kaluar dy ture rresht duke hyrë në katërshen e ekipeve më të mira të kontinentit por shorti i ra të ndesheshin në grup me CSKA-në e Moskës, CSKA-në e Sofjes dhe një ekip çek.

Por kuptohet që ndeshjet nuk mund të bëheshin sepse sistemi komunist nuk i la për të luajtur ndaj këtyre ekipeve dhe u eliminuan. Pas tre vitesh aktivizimi me sukses në rradhët e Partizanit, Irfani dëshiron të kthehet në Shkodër pranë familjes së tij dhe pranë Vllaznisë por drejtuesit e Partizanit dëshirojnë ta mbajnë me çdo kusht në Tiranë. Ai nuk dëshiron dhe në shenjë pakënaqësie për këtë, gjashtë muajt e fundit të tij si ushtar, do t’i kalonte në Durrës, ku do të aktivizohej me ekipin e Teutës.

E bën edhe këtë dhe më pas, në vitin 1976 kthehet tek Vllaznia. Aty ku do të luante me një brez tjetër lojtarësh të shkëlqyer si Adrian Shiroka, Xhino Mjeda, Mark Kroqi, Irfan Domnori, Adnan Boriçi, Gjon Çoba, Adrian Mikopli, Fatmir Gruda, Besnik Lisha, Aleksander Leqejza etj, fillimisht me trajner Ali Bushatin dhe më pas, Mark Grimcin. Do të luante me shumë sukses deri në përfundim të sezonit 1983-84 kur vendos ta ndëpresë karrierën sportive.

Në këto shtatë sezone ai ka qenë gjithnjë kapiten i ekipit, një lojtar me peshë i cili e ndihmoi jo pak atë për arritjen e rezultateve pozitive por megjithatë me një peng të madh: mosshpalljen e Vllaznisë asnjëherë kampione. Ajo renditej rregullisht në vendet e dyta dhe të treta por kampione asnjëherë. Irfan Boriçi do të vazhdonte të luante rregullisht në Kupat e Europës me ekipin e Dinamos që e merrte si përforcim, madje edhe ekipi i Skënderbeut.

Në ceremoninë e lënies së sportit, ai ia ka dorëzuar fanellën Adrian Mikoplit, një lojtari që do të luante me shumë sukses në vitet e ardhshme. Pas lënies së sportit, në vitet 1983-87 ka qenë trajner i ekipit të të rinjve të Vllaznisë. Për këtë karrierë sportive, Bashkia Shkodër e ka nderuar këtë sportist me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, për kontributin e dhënë në vite për klubin Vllaznia dhe kombëtaren shqiptare.

Ndërkohë qeshorin e vitit të kaluar është nderuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje për rezultatet e larta në sportin e volejbollit, si një nga volejbollistët e dalluar në ekipit ‘Vllaznia’ dhe Ekipit Kombëtar, me arritje të suksesshme në arenën kombëtare e ndërkombëtare”
Gjergj KOLA