Nga Gjergj KOLA

Basketbolli i femrave në Shkodër në vite ka patur jo pak suksese dhe natyrisht që ato kanë ardhur nga kontributi i madh në fushën e lojës i disa lojtareve të talentuara të cilat kanë lënë gjurmë në historinë e këtij sporti.

Njëra prej tyre është edhe Farida Zmijani (Ramadani). Po ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen. Ajo feston 67 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Farida ka lindur në Shkodër më 25 maj 1957, në një familje ku ishin disa pjestarë të saj të lidhur me sportin dhe si rrjedhojë edhe ajo e zgjedh atë duke u angazhuar me basketbollin. Në fakt e nis disi me vonesë, luan vetëm një vit me ekipin e të rejave kaq i mjafton për të rënë në sy të stafit të ekipit të parë.

Do të bëhej pjesë e tij në vitin 1975 dhe do të luante me Vllazninë për 7 vjet me rradhë duke qenë pjesë e padiskutueshme e pesëshes së parë dhe duke dhënë një kontribut të madh në rezultatet e kësaj skuadre nen drejtimin e trajnerit Valter Kalaja deri në vitin 1981 kur do t’i jepte fund karrierës së saj sportive.

Ndërkohë prej vitesh, Farida në rolin e shkrimtares ka botuar shumë libra dhe pjesë e bibliotekës së saj janë edhe botime të ndryshme për sportin duke treguar edhe njëherë tjetër se nuk e ka të lehtë nga ajo fushë e jetës të cilës i dedikoi rininë e saj./www.shkodrasport.com/