Edhe pse kampionati është ndërprerë, te Vora nuk ka pushime, por vetëm punë dhe stërvitje. Të gjithë lojtarët janë vënë në dispozicion të stafit teknik. Ndërkohë, stërvitësi atletik po merret me aspektin fizik të përgatitjes së lojtarëve për marrjen e ngarkesave të plota dhe të gjithë janë vënë nën vëzhgimin e tij.
Aktualisht, 25 lojtarët e ekipit janë aktivë dhe ndjekin programin e stërvitjes me kujdes. Manfredas Ruzgis pritet të rikthehet në stërvitje të diferencuar nga fillimi i javës së ardhshme, dhe me shumë gjasa do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Elbasanit. Gjithashtu, kjo ndërprerje është shfrytëzuar për të trajtuar disa lojtarë me probleme shëndetësore ose dëmtime të pjesshme, duke përfshirë punën e stafit mjekësor, fizioterapistin Kejdi Ndoja dhe mjekun e skuadrës Glendi Dajsinani, të cilët qëndrojnë pranë lojtarëve të dëmtuar dhe i udhëzojnë për trajtimin e tyre.
Kjo ndërprerje 10-ditore ka qenë e domosdoshme për Vorën, që të rimarrë veten pas dy humbjeve radhazi, në Shkodër ndaj Vllaznisë dhe në Laç ndaj Egnatias. Për shkak të rikuperimit të disa lojtarëve, trajneri Bellai ka pasur vështirësi në formimin e 11-shes titullare dhe është dashur të mbështetet edhe te brazilianët e ardhur te Vora. Njëri prej tyre është 24-vjeçari Madeiro Almeida Uallas, mesfushor, i cili rrëfen për “Panorama Sport” qëllimet e tij me ardhjen te Vora.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe më pëlqen shumë. Duke qenë një vend europian, kjo mund të më shërbejë si trampolinë për të kaluar në Europën perëndimore, ku kam dëshirë të madhe për karrierën time. Unë jam formuar profesionalisht tek një nga klubet më të njohura braziliane, Fluminense, me të cilin kam kaluar të gjitha kategoritë e moshave deri në U-23.
Vora është një ekip që ka lojtarë cilësorë dhe kërkon një konkurrencë të fortë për të kapur vend në formacion. Kjo më bën të përpiqem më shumë dhe të kërkoj maksimumin nga vetja ime. Jemi të lumtur me rezultatet deri tani, pasi kemi marrë 2 fitore dhe 1 barazim. Kuptohet që kemi humbur ndaj skuadrave më të forta të Superiores shqiptare. Unë jam aktivizuar në dy ndeshjet e fundit dhe shpresoj të fitoj besueshmërinë e ekipit”, tha ai.
Madeiro Almeida duket i motivuar dhe i fokusuar në sfidën e tij për të treguar vlerat në Superiore, duke shpresuar që Vora të shndërrohet në një hap të rëndësishëm për karrierën e tij në Europë.