Napoli festoi titullin e tretë në histori këtë sezon të Serisë A, duke bërë një festë të madhe pas plot 33-vitesh pritje. Të kaltrit e merituan kampionatin duke e dominuar atë nëpërmjet një futbolli atraktiv. Madje, skuadra e trajnerit Luciano Spalletti befasoi edhe në Champions League duke mbërritur deri në fazën çerekinale aty ku u eliminua nga Milan.

Gjithsesi, sezoni i mrekullueshëm duket se nuk mjafton që presidenti Aurelio De Laurentis dhe trajneri Luciano Spalletti të gjejnë gjuhën e përbashkët për rinovimin e kontratës. Kanë mjaftuar disa kontradikta në aspektin financiar dhe numri një i klubit i ka treguar menjëherë derën teknikut 64-vjeçar.

Edhe pse ndarje nuk ka marrë formë zyrtare duke qenë se Serie A ende nuk është mbyllur, duket se palët vështirë se mund të bëjnë prapakthehu. Aq më tepër kur De Laurentis ka nisur nga puna për të gjetur trajnerin e ri teksa ka kontaktuar me Luis Enriquen.

Sipas mediave, De Laurentis e ka marrë në telefon spanjollin duke negociouar personalisht me të dhe ta bindë për projektin e së ardhmes. “Lucho” është aktualisht i lirë pasi mbylli impenjimin me kombëtaren e Spanjës dhe pavarësisht pëlqimit për Premier Leaguen, mund ta joshë rikthimi në Itali te Napoli pas një eksperience të hershme te Roma. Bisedimet janë në avancë e sipër dhe mbetet për t’u parë si do të mbyllen.