Po t’i hedhsh një sy formacionit të Besës, vëren se dyshja e qendrës së mesfushës, Tafili-Muçaj, është një nga pikat kryesore të skuadrës. Të dy këta futbollistë pritet të jenë edhe “truri” i lojës së Besës sezonin e ardhshëm, ku presidenti Nexhat Bizhdili ka bindjen e plotë se skuadra do të sigurojë kthimin në elitë.

Shkodrani Tafili tregohet modest kur deklaron se i gjithë grupi është “arma” e Besës e jo vetëm mesfusha. “Normalisht, unë dhe Muçaj kemi qindra ndeshje të luajtura, i kemi provuar të gjitha, por në futboll nuk mjafton vetëm përvoja.

Duhen gjunjë të fortë dhe, falë Zotit, gëzoj një gjendje fizike optimale. Te Besa nuk është vetëm mesfusha pikë e fortë, i gjithë grupi është i kompletuar”, thekson futbollisti shkodran. Tani që skuadra është konturuar, Tafili është besimplotë për ngjitjen në Superiore.

“Dua ta pranoj se premtimi që më dha presidenti Bizhdili se do të bënte ekip të fortë, është realizuar. Një futbollist me përvojë si unë së pari kërkon të dijë me kë do të luajë në ekip.

Kur pranova ofertën e Besës, kisha parasysh faktin se kjo skuadër, ashtu si dhe Vllaznia, është një nga ikonat e futbollit shqiptar. Jemi shkolla të njëjta, bazohemi te teknika dhe luajmë futboll të bukur, jo futboll force apo ‘bunker’ prapa. Kavaja ka kushte ideale për një sportist”, shton 33- vjeçari.