Lorenco Vila është golashënuesi më i mirë i Teutës në kampionat me 4 gola, edhe pse sezoni i tij nisi shumë më vonë se futbollistët e tjerë, pasi u dëmtua në ndeshjen e Ligës së Kampioneve ndaj Sherif Tiraspolit.

Sulmuesi durrsak ka folur dje për “Panorama Sport” rreth momentit të keq që po kalon skuadra. Ai është i bindur se mundësitë janë për të shpëtuar këtë sezon, duke fituar Kupën e Shqipërisë.

Duke folur ne lidhje me ndeshjen e fundit ndaj Vllaznise te cilen e humben ne shifrat 2-4, ai do te shprehej: “Asgjë nuk shkoi siç duhet dhe ashtu siç e kishim parashikuar ne. E nisëm ndeshjen keq, duke pësuar tre gola të shpejtë dhe kjo na vendosi në trysni.

Unë mendoj se reagimi ishte i mirë, duke arritur të shënojmë dy gola brenda pjesës së parë, por që nuk ishte e shkruar të barazonim. Gjithsesi, duhet ta hedhim pas krahëve këtë humbje dhe te fokusohemi te ndeshja e radhës me Dinamon”.

Nderkohe i pyetur ne lidhje me pretendimet e Teutes per pjesen e mbetur te sezonit, Lorenco Vila eshte shprehur: “Deri më tani kemi zhvilluar një kampionat me ulje-ngritje, por jemi në garë për Kupën. Besoj se mund ta fitojmë dhe ta rikthejmë këtë trofe në Durrës, pasi është një mundësi e artë për Europën. Kështu do të shpëtonim edhe sezonin”.