Vllaznia të shtunën që shkoi barazoi në Lezhë ndaj Besëlidhjes duke marrë një tjetër rezultat pozitiv në rrugëtimin e saj drejt finales të kategorisë së parë ndaj Bylisit.

Por kjo ndeshje ka patur edhe një të veçantë tjetër brenda. Një nga futbollistët e Vllaznisë në këtë ndeshje, pikërisht mesfushori Alsid Tafili ka zbritur në fushë dhe ka luajtur si titullar në këtë takim i cili për të do të mbahet mend gjatë.

Arsyeja është e thjeshtë: Ka qenë ndeshja e tij e 200-të në kampionate me fanellën e Vllaznisë! Më shumë se çdo futbollist tjetër që është aktualisht pjesë e skuadrës shkodrane.

Për të arritur deri në këtë pikë, Tafilit i është dashur jo pak mund, djersë e sakrificë. E veshi për herë të parë këtë fanellë në vitin 2005 kur ishte vetëm 18 vjeç dhe sapo kishte ardhur nga Greqia dhe që atëherë ka dhënë gjithnjë më të mirën e mundshme për të.

Padyshim që ai ka ende për të dhënë për kuqeblutë, por gjithsesi tashmë është momenti për të festuar këtë shifër jubilare të takimeve zyrtare me Vllazninë.

Ashtu si i ati që kontribuoi maksimalisht për këtë klub dhe për këtë qytet, por në një sport tjetër, edhe Alsidi ka dhënë kontributin e tij në futboll për Vllazninë dhe ndjehet i lumtur për këtë gjë.
© shkodrasport.com