Vllaznia aktuale po shfaqe probleme të dukshme fizike dhe kjo tashmë është evidente nga ndeshja në ndeshje. Kuptohet ajo vjen pas dy muajsh e gjysëm pushim absolut dhe karantina e ka bërë efektin e vet. Ndërkohë disa skuadra të tjera tashmë është marrë vesh që janë stërvitur në mënyrë të rregullt dhe kjo dallohet me formën që po paraqesin në fushën e lojës.

Por nëse skuadrat e tjera janë stërvitur në fshehtësi, tek Vllaznia ka patur një problem tjetër sepse gjatë periudhës së karantinës, ish- trajneri Mirsad Jonuz nuk u ka dhënë asnjë plan individual stërvitor lojtarëve dhe as është interesuar nëse bëjnë stërvitje apo jo.

Ka qenë ish- futbollisti i Vllaznisë Alsid Tafili që e ka zbuluar një fakt të tillë. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Arena” teksa duke folur për problemet fizike të lojtarëve kuqeblu, është shprehur: “Nga sa kam informacion unë, të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore ose janë stërvitur në mënyrë të fshehtë gjatë periudhës së pandemisë, ose kanë patur një plan individual për sportistët të kontrolluar nga trajneri.

Tek Vllaznia, nga sa di unë, nuk ka ndodhur diçka e tillë dhe kjo mangësi po reflektohet sot në fushë. Trajneri Dedja e përmendi edhe pas ndeshjes me Bylisin se disa prej lojtarëve vetëm ecnin në fushë. Kjo nuk është aspak normale për një ekip futbolli”.
www.shkodrasport.com