Pasi hapën merkaton me Nertil Hoxhajn, te Besa nisin edhe rinovimet. Sikurse kishte premtuar rreth 2 muaj më parë, Alsid Tafili rinovoi. Shkodrani është i pari futbollist që ka pranuar të vijojë bashkëpunimin me kavajasit. Dje ka firmosur një kontratë, që e mban të lidhur me verdhezinjtë për një tjetër sezon.

I pyetur se sa shumë iu desh presidentit për ta bindur, ai për “Panorama Sport” qartëson: “Kontaktet me Bizhdilin nuk i kisha shkëputur kurrë, edhe pse kontrata më kishte mbaruar. I pata dhënë fjalën se nëse bindesha, nuk do ta ndërroja kurrë Besën me asnjë ekip tjetër”.

Sikurse pohon edhe vetë mesfushori, pasi ka qëndruar mbi 2 orë me presidentin Bizhdili dhe shefin e klubit, Zenelaj, nuk ka hezituar aspak të firmosë. “Biseduam gjerë e gjatë me presidentin dhe shefin e klubit.

Gjërat u thanë hapur mes nesh, ndërkohë që u njoha me merkaton, por edhe futbollistët që synohen të kontaktohen. Përtej emrit e peshës së fanellës, jam ndier tej mase i respektuar në Kavajë nga presidenca, stafi e tifozët. Në këtë situatë nuk mund t’i thosha ‘jo’ vazhdimit të bashkëpunimit.

Uroj me shpirt që sezoni i ri të zhvillohet me praninë e tifozëve”, përfundoi Alsid Tafili, i cili sezonin e kaluar ishte pa dyshim lojtari më i mirë i Besës. Pas tij, priten edhe firmat e radhës te verdhezinjtë. Mësohet se ofertë për rinovim i ka mbërritur edhe ish-kapitenit Ledjon Muçaj, por tashmë pritet vetëm përgjigjja e tij.