Mesfushori Alsid Tafili, ka një javë të mbingarkuar sepse të dielën, ai do të djegë “shaminë e beqarit” dhe nuk do të mungojnë jo vetëm miqtë e tij shkodranë por edhe nga skuadrat e tjera. Por, së bashku me angazhimet familjare, jo të pakta janë edhe destinacionet e reja të Tafilit për sezonin e ardhshëm. I afruar në momentet e fundit të merkatos së verës së kaluar, si një alternativë në mesfushë, javë pas jave ai u kthye në një pikë të rëndësishme në skuadrën shkodrane, madje duke fituar edhe një vend titullari e duke bërë një prezantim shumë të mirë. Ndërkohë edhe trajneri Artan Bushati i bëri të ditur se është në planet e Vllaznisë së sezonit të ri. Por, në të njëjtën kohë, për shërbimet e Tafilit janë interesuar edhe skuadra të tjera të Kategorisë Superiore të kampionatit shqiptar, pa lënë mënjanë edhe një ofertë serioze që vjen nga Gjermania.

Vetë Tafili, nuk e mohon rinovimin me Vllazninë dhe në një prononcim për gazeten, tha: “Natyrshëm që do t’i përkushtohem tërësisht ceremonisë së dasmës së kësaj fundjave. Më pas një pushim i shkurtër, një javë, apo dhjetë ditor në bregdetin e jugut të Shqipërisë, për t’u rikhyer sërishmi në Shkodër, ku në ditët deri në mbyllje të muajit përkushtim maksimal për të zyrtarizuar skuadrën e re. Kam oferta nga Superioria por edhe nga jashtë, por pas disa ditësh vendos”, thotë Tafili.
Gasper Marku