Edon Hasani, mesfushori shkodran që u la i lirë nga klubi i Vllaznisë para një sezoni, mund të riveshë fanellën kuqeblu. Hasani ka qenë pjesë e ekipit të Liteksit në Bullgari në sezonin e shkuar, por nuk ka gjetur shumë hapësirë. Mirëpo, në një moshë si ajo që ka Hasani dhe nga pamundësia e tij për t’u aktivizuar me ekipin e Liteksit, drejtuesit e klubit po e shikojnë si një mundësi për ta risjellë sërish te Vllaznia. Ai, pavarësisht se u largua para një sezoni si i panevojshëm për ish-teknikun Shpëtim Duro, por gjërat pas ardhjes së Artan Bushatit kanë filluar të ndryshojnë në drejtim të afrimit të elementëve shkodranë. Nisur edhe nga deklarimi i vetë numrit një të presidencës së Vllaznisë, Agron Çela, se merkatoja do të mbështetet tek elementi vendës si brenda dhe jashtë Superiores, duket se me shumë gjasa Hasani është pranë rikthimit. Nga sa mësohet, drejtuesit e klubit po e shikojnë një afrim të tillë dhe ndoshta shumë shpejt mund të ketë edhe lëvizje konkrete në këtë drejtim. Aktualisht Hasani gjendet me pushime pranë familjarëve të tij në Shkodër.
Të tjerët – Nuk është vetëm Hasani, ai që preferohet nga ana e drejtuesve të klubit të Vllaznisë për ta pasur në ekip sezonin e ri, por edhe lojtarë të tjerë shkodranë që luajnë në Superiore. Nga sa mësohet, Vucaj dhe Lika janë në krye të listës për t’u riveshur kuqeblu. Ai, që duket më afër te Vllaznia, është mesfushori i Laçit, Erion Vucaj, i cili ka deklaruar edhe vetë se nëse nuk lëviz jashtë Superiores do të ketë një rikthim te Vllaznia e tij. Ndoshta më shumë dilema ka për G.Likën, i cili do të luajë si i huazuar me Skënderbeun në Ligën e Kampioneve, por edhe mund të lidhë një kontratë me këtë skuadër. Megjithatë, të dy lojtarët, por edhe të tjerë si Gocaj, Rraboshta etj., mund të shikohen në këtë periudhë si afrime të ekipit të Vllaznisë.
Admir Uruçi