Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala, ndonëse i shkëputur nga futbolli aktiv prej disa vitesh, është një ndjekës i rregullt i kampionatit shqiptar. Ish-futbollisti kuqezi, i cili ka mbajtur dhe shiritin e kapitenit të kombëtares, në një intervistë për SuperSport tregoi se futbolli shqiptar ka pasur një progres të jashtëzakonshëm, që tani i jep mundësinë të rinjve ta përdorin si trampolinë për të shkuar jashtë vendit.
“Futbolli shqiptar ka bërë hapa para si në infrastrukturë dhe në kualitet. Vitet e fundit kanë dalë disa lojarë që kanë ikur në Europë. Kjo është një nxitje dhe për të rinjtë, me anë të kampionatit shqiptar mund të bëjnë karrierë dhe jashtë vendit. Unë e ndjek vazhdimisht kampionatin shqiptar dhe hapat janë të mirë dhe kënaqshëm”.
Infrastruktura është një tjetër element që Lala e veçoi, si faktorin kryesor të zhvillimit të futbollit në vend, me ish-mesfushorin që tregon se ai do donte shumë që të kishte pasur mundësinë për të luajtur në kushtet e tanishme.
“Stadiumet janë me të vërtetë fantastike. Gjëja që më ka mbetur fiksim, në ndeshjen e parë që u inaugurua Air Albania, u ndjeva xheloz edhe pse nuk e kam atë tip, doja të luaja dhe unë në një stadium si ai. Fushat po ndërtohen dita-ditës që lojtarët të përmirësohen, stadiumet janë shumë të mira dhe falë projekteve të reja, uroj që infrastruktura të ecë me këtë ritëm”.
Lala është besimplotë se skuadrat shqiptare e kanë potencialin që të prekin grupet e kompeticioneve të UEFA-s, duke e shpresuar diçka të tillë që këtë edicion.
“Tirana bëri shumë mirë, ishte ndeshje e vështirë në Gjeorgji dhe e kaloi turin. Shpresoj ta kalojë dhe turin tjetër, Partizani duhet të ishte pak më i guximshëm në ndeshjen e parë dhe mund të kalonte. Dikur Skënderbeu ka treguar se është e mundshme dhe shpreojmë që Partizani ose Tirana të shkojë në grupe”.
Kombëtarja shqiptare do të ketë dy ndeshje deçizive në shtator dhe ish-kapiteni është optimist se skuadra kuqezi ka mundësinë për të marrë më të mirën të dy ndeshjet që po vijnë, që do të përcaktojnë dhe fatin e skuadrës së Sylvinhos.
“Mendoj që kemi jashtëzakonisht shanse të mëdha, grupi është i tillë. Nuk ka ndeshje të lehta. Si Polonia dhe Çekia janë kundërshtar të vështirë, por mund të marrim pikë në të dyja ndeshjet që vijnë. Ne duhet të bëjmë detyrat tona dhe në shtator do të kemi orientimin. Na kanë mbetur dhe 5 ndeshje dhe shpresojmë që të jemi të dytët”.