Para ndeshjes me Serbinë ka folur për mediat edhe ish- sulmuesi i njohur i kombëtares shqiptare Altin Rraklli. Ai është shprehur se Shqipëria i ka mundësitë për të dalë e fituar nga kjo përballje. Po ashtu, sipas tij e ardhmja e trajnerit Silvinho varet shumë nga kjo ndeshje.
“Ne do shkojmë për të luajtur futboll. Si duket Federata dhe Policia, nuk ka siguri për tifozët. Për këtë arsye, e ka zhvendosur ndeshjen. Nuk besoj se do ketë ndonjë ngjarje nga tifozët, me ato informacione që kam nuk do jetë lloj-lloj njeriu në stadium. Besoj se ndeshja do zgjidhet në fushën e blertë, ne duhet të shfrytëzojmë efektin e presionit që kanë ata. Ne nuk e kemi një presion të tillë.
Se çfarë nuk po shkon në periudhën para eleminatoreve, pati gjëra që shkonin mirë. Ne bënim gola nga distanca dhe nuk pësonim gola të thjeshtë. Duhet të kemi parasysh që nuk e kishim Brojën. Kjo situatë nuk mund të vazhdonte, duhet të kesh plan b. Duhet ndonjëherë që të ndryshosh sistemin e lojës. 3-shja e mesfushës janë shumë të sigurtë në prapavijë, ndërsa përpara bëjnë pak. Broja po luan në krahun e djathtë, gjë që është e mirë. Nëse do e shikosh në mënyrë të përgjithshme, ne po luajmë njësoj si para dy vitesh.
Nuk besoj që është e drejtë që t’i krahasojmë lojtarët kokë më kokë. Broja dhe Asani janë të ndryshëm. Broja pati dëmtim para 3 vitesh që e la jashtë fushe për një kohë të gjatë. Ai po vjen në formë ngadalë-ngadalë. Broja do luajë në krah të djathtë në këtë ndeshje.
Ndeshja me Serbinë është çelësi i të ardhmes së Sylvinhos. Nëse dalim të dytët, është dhënë përgjigja se ai e meriton të vazhdojë të qëndrojë. Në të kundërt, vështirë se do qëndrojë”- është shprehur Rraklli.