Tek Vllaznia gjatë gjithë këtyre viteve të fundit kanë ardhur e ikur shumë lojtarë.

Dikush ka lënë gjurmë dhe në fakt këta janë të pakët por shumë prej tyre u kthyen andej nga erdhën, pa lënë asnjë shenjë me aktivizimin e tyre me skuadrën shkodrane.

Megjithatë, ka patur dhe nga ato që edhe sot e kësaj dite, kanë lënë një përshtypje shumë të mirë tek tifozët, njerëzit e sportit dhe i gjithë qyteti.

Njëri prej tyre padyshim që është Klodian Duro. Erdhi tek Vllaznia në janarin e vitit 2000 pikërisht nga ekipi i Tiranës.

Në moshën 23 vjeçare, elbasanasit iu desh vetëm pak kohë që të ambjentohej dhe pas gjashtë muajsh aktivizim, u kthye në lider të kësaj skuadre.

Në sezonin 2000-2001 ndërkohë ai është një nga protagonistët kryesorë të ekipit që u shpall kampion.

Luajti edhe në fazën e parë të kampionatit tjetër në Shkodër dhe më pas, u largua për në Turqi tek Samsunspor.

U kujtuam për këtë futbollist duke iu referuar gazetës së mësipërme që i përket dhjetorit të vitit 2001.

Klodian Duro shprehej për “Sporti Shqiptar” se “unë jam njeriu kuqeblu”. Në fakt i tillë ka mbetur edhe sot pas 18 vitesh sepse tek të gjithë tifozët shkodranë ky futbollist vazhdon të konsiderohet si një nga më të mirët që ka veshur fanellën e Vllaznisë.
© shkodrasport.com