Altin Xhahysa, ish-futbollist i Vllaznisë dhe trajner i Adës ka folur së fundmi për ecurinë e kuqebluve. Në Star Sport, ish-sulmuesi komentoi për ndeshjen e fundit kundër Erzenit duke e cilësuar hap fals dhe se skuadra po vuan në lojë. Gjithashtu ai theksoi se lojtarët duhet ta dinë se çfarë skuadre përfaqësojnë.

Xhahysa tha: “Mund të them se jam i zhgënjyer nga ky rezultat kundër Erzenit. Nuk e kuptoj se si skuadra mund të barazohet nga 2-0 në 2-2, e për më tepër në 25 minutat e fundit. Nuk mund të them se është problem psikologjik sepse për ndryshe skuadra do e vuante që në fillimin e ndeshjes, e jo vetëm në fund.

Vllaznia nuk po prodhon lojë në këtë kampionat, pasi thuajse gjithë golat i ka shënuar nga goditjet standarte. Ekipi po vuan mungesën e një numri 8 dhe 10 siç e kam theksuar edhe më parë. Po ashtu edhe dy qendërmbrojtësit i shoh difektozë.

Shkodranët duhet të bëjnë ndërhyrje në merkato, në qendër mbrojtje, mesfushë e po ashtu në krahun e majtë dhe qendër sulm. Trajneri Josa për mendimin tim po merr më të mirën e këtij grupi që ka.

Ky kampionat është i çuditshëm, ashtu si Vllaznia pasi nuk mund të thuash që ka një ekip që bën diferencën. Askush nuk mund të thojë që jam pretendent për kampion. Tek Vllaznia duhet të punojnë me futbollistët, ku disa prej tyre duket se ende nuk e dinë çfarë skuadre përfaqësojnë dhe për këtë duhet të paraqesin grintën dhe egon e duhur.

Ndeshjet e rradhës ? Besoj se mund të merret fitore në Kukës, e po ndodhi ashtu ekipi do vijë me moral tjetër kundër Tiranës në fundjavë. Besoj se mund të arrihen rezultate pozitive në këtë javë”.
Endri ÇINARI