Ka triumfuar bashkë me ekipin e tij në turneun “Episkiros” që u zhvillua në Selanik të Greqisë dhe padyshim që kjo e ka entuziasmuar pa masë. Altin Xhahysa, trajneri i Vllaznia U12 pas kthimit nga ky turne, në një prononcim për “Shkodra Sport” ka sjellë edhe emocionet e këtij suksesi.
“Ka qenë një gëzim i pamasë sepse ishte një turne që na emocionoi shumë. Ecuria e ekipeve tona ishte e shkëlqyer dhe as ne vetë ne ndoshta nuk e kishim menduar se do të shkonim me dy ekipet në finale.
Për koinçidencë, para finales së U12 u zhvillua ajo e U14 e cila siç dihet, u humb vetëm me 11-metërsha nga Vllaznia. Ne ishim duke e ndjekur këtë ndeshje dhe përveç lotëve të futbollistëve 14 vjeçarë, kam parë duke qarë edhe këta 12 vjeçarët.
Kjo reflektoi tek ata dhe në ndeshjen më pas, u munduan ta fitojnë me çdo kusht finalen. Kemi qenë 2-1 deri një minutë para fundit dhe CSKA na barazoi në fund. Sërish lot në sytë e futbollistëve të mi por ata nuk e humbën besimin dhe me penallti u treguan të përkryer duke merituar trofeun”- shpjegon Xhahysa.
Ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë që tashmë kryen detyrën e trajnerit pranë Akademisë së saj, ka edhe një mesazh për drejtuesit e klubit kur thotë: “Ky brez lojtarësh, pra i Vllaznia U12, është shumë i talentuar. Kemi të bëjmë ndoshta me brezat më të mirë të lojtarëve gjithë këto vitet e fundit dhe prandaj ndaj tyre duhet më shumë vëmendje se mund të jenë e ardhmja e Vllaznisë së madhe”.
© shkodrasport.com