Problemet që po has Vllaznia në merkato apo dhe në përgatitjet për sezonin e ri futbollistik, kanë qenë tema kryesore e diskutimeve të takimit të dytë të zhvilluar në zyrën e kryebashkiakes Ademi, në mes të saj dhe drejtuesve të klubit apo dhe pjestarëve të Këshillit Bashkiak.

Një takim i tillë është zhvilluar pasditen e së enjtes dhe në fakt ka qenë i planifikuar që pas takimit të parë të para dy javëve më parë. Kjo është bërë pikërisht për të parë se deri ku kanë shkuar planet e bëra për merkato. Nga sa mësohet, kryebashkiakja ka ngritur zërin herëpashere në drejtim të drejtuesve të Vllaznisë sepse ende nuk ka asnjë lëvizje në merkato, ndonëse ajo ka siguruar financat e duhura. Sakaq, trajneri Cungu thuhet të ketë deklaruar që skuadra është e vonuar me përforcimet e mundshme të lojtarëve sepse asnjë futbollist i planifikuar prej tij, ende nuk i është bashkuar kuqebluve. Madje, numri 1 i pankinës shkodrane mësohet të ketë përmendur sërish atë idenë e tij se do të largohet nëse gjërat nuk fillojnë të marrin zgjidhje. Takimi i së enjtes në këtë mënyrë sërish ka patur shumë diskutime dhe polemika megjithatë tifozët presin zgjidhje. Vllaznia është e vonuar në përgatitjet e saj për sezonin e ri dhe ende nuk është e qartë se ku do t’i gjejë lojtarët e duhur. Ndodh edhe kështu. Paratë janë por nuk ka lojtarë megjithatë kampionati do kohë për të filluar dhe mbase ato mund të gjenden.

© shkodrasport.com