Pasditja e së hënës ka risjellë sërish kuqeblutë në fushën e stërvitjes pas dy ditësh pushim që ata kanë patur. Humbja me Kukësin ka lënë pasojat e veta dhe kjo është reflektuar sot edhe tek të gjithë pjestarët e ekipit të Vllaznisë.

Nga sa ka bërë të ditur vetë klubi shkodran përmes një komunikate të shpërndarë për mediat, përveç seancës stërvitore, sot është zhvilluar edhe një analizë e ndeshjes së kaluar.

Sipas asaj që mësohet, secili prej pjestarëve të skuadrës, që nga stafi teknik e deri tek futbollisti më i fundit, ka pranuar gabimet e veta. Ja çfarë thuhet në komunikatën e klubit:

“Ditën e sotme ekipi i është rikthyer procesit stërvitor dhe njëkohësisht edhe përgatitjeve për ndeshjen e rradhës me Skënderbeun. Njëkohësisht, stafi teknik dhe futbollistët për disa minuta kanë zhvilluar edhe një analizë të ndeshjes së kaluar me Kukësin. Për disa minuta ata sëbashku kanë diskutuar dhe nxjerr shkaqet që çuan në këtë humbje. Konkluzioni i të gjithëve ka qenë se pjesa e parë vërtetë nuk ka qenë spektakolare por Vllaznia është munduar të zbatojë siç duhet detyrat dhe ka qenë brenda objektivave për marrjen e një rezultati pozitiv në këtë takim.

Por nuk ka ndodhur kështu në të dytën, kur në të tre rastet e golave të kundërshtarit, futbollistët kuqeblu kanë gabuar në zbatimin e detyrave dhe markimin e kundërshtarit. Sigurisht që të gjithë pjestarët e Vllaznisë kanë pranuar fajin për këtë rezultat, duke filluar nga stafi teknik dhe deri tek futbollisti më i fundit.

Megjithatë ajo çfarë është evidentuar nga analiza e sotme, ka qenë bindja e të gjithëve se skuadra mund të bëjë më mirë sepse i ka mundësitë dhe aftësitë për këtë gjë. Prandaj dhe duke nisur nga sot, në përgatitjet që kanë filluar për ndeshjen e rradhës me Skënderbeun, do të punohet shumë në rradhë të parë për të eliminuar gabimet e bëra sepse vetëm kështu mund të arrihen rezultatet e duhura në takimet e tjera.

Në ditët e ardhshme stafi teknik do të zhvillojë edhe analizën teknike me pamjet filmike dhe të dhënat kompjuterike për secilin futbollist, çka do t’i ndihmojnë ata për të kuptuar më mirë për gjërat që nuk kanë bërë si duhet në mënyrë që t’i korigjojnë për të ardhmen. Besimi i të gjithëve tek Vllaznia është se gjërat do të ndryshojnë shumë shpejt”.