Sezoni që lamë pas ishte i shkëlqyer për Realin e Madridit. “Los Blancos” arritën të thyenin çdo pritshmëri e parashikim, duke fituar tre trofe, me surprizën më të madhe që ishte Liga e Kampioneve.

Jo se Reali nuk ka dhënë prova se di ta fitojë këtë trofe – në fakt e ka fituar më shumë se kushdo tjetër në histori, 14 herë – por për faktin se skuadra e drejtuar nga Karlo Ançeloti nuk llogaritej fare mes pretendentëve. Sukseset në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve kanë shtuar edhe më shumë lëvdatat për trajnerin Ançeloti dhe për disa lojtarë, të cilët ishin në pikëpyetje.

Por me shprehjen në gojë “sezon i kaluar, sezon i harruar”, Ançeloti ka paralajmëruar lojtarët e tij se suksesi i sezonit të fundit është arkivuar në histori dhe në muzeun e Madridit.

Ai dhe presidenti Perez kanë paralajmëruar lojtarët se beteja fillon pas një jave në Las Vegas në “miqësoren” kundër Barcelonës.

Sipas gazetës spanjolle “Marca”, trajneri Ançeloti dhe presidenti Perez janë ulur mes tyre para nisjes së përgatitjeve të verës, duke shpallur qartë se cili do të jetë objektivi për sezonin e ri.

E nuk përbën ndonjë habi fakti se për Perezin fiksim mbetet sërish kupa me veshë të mëdhenj. Për Perezin në radhë të parë dhe Ançelotin pas tij, objektivi i sezonit të ri do të jetë fitimi i Ligës së Kampioneve, që do të ishte i 15-ti në historinë e klubit Reali dëshiron të mbrojë kurorën në Stamboll.

Natyrisht që edhe trofetë e tjerë vlejnë shumë, La Liga, Kupa e Mbretit e Superkupa e Spanjës apo Botërori i Klubeve, por fillimisht gjithçka nis nga 10 gushti në finalen e Superkupës së Europës kundër Frankfurtit.